E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia i dënuari për drogë

Interpol Tirana në bashkëpunim me interpol Romën ka bërë të mundur ekstradimin e një të dënuari për drogë. Burimet zyrtare të zyrës së interpolit theksojnë se është bërë i mundur ekstradimi nga Milano i shtetasit Stefan Petani, 45vjeç , nga Fieri. Ekstadimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, e ka dënuar Petanin, me 4 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve", dhe "Kultivimit të bimëve narkotike".
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2005 kur oficerët e policisë gjyqësore kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Stefan Petani, dhe tokën rreth saj dhe kanë sekuestruar 15 rrënjë bimë narkotike të kultivuar si dhe 100 gram bimë narkotike kannabis sativa, në gjendje të thatë, e paketuar në një qese plastike.
Ky shtetas është arrestuar në Itali, në vitin 2009 me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›