E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEKS: Hetime edhe në veri të Kosovës

Misioni Evropian për sundimin e ligjit ka paralajmëruar shtrirjen e hetimeve në veriun e Kosovës, për një numër rastesh, përfshirë ato të korrupsionit, krimit të organizuar dhe vrasjeve. Një zëdhënëse e EULEX-it, Kristina Herodes, tha pwr BBC-së se hetimet do të përfshijnë edhe strukturat paralele në veriun e Kosovës si dhe të gjitha organizatat e tjera e individët që dyshohet të jenë të përfshirë në krim të organizuar.

Ajo tha se hetimet për vrasje përfshijnë periudhën e viteve prej 2004 e deri në ditët e sotme dhe theksoi se EULEX-i do të hetojë të gjitha rastet pavarësisht nga përkatësia etnike. Herodes përjashtoi mundësinë që hetimet në veri të bëhen me motive politike ose për të barazpeshuar hetimet që kanë filluar në pjesën tjetër të Kosovës.

Veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ka qenë jashtë kontrollit të mekanizmave ndërkombëtarë dhe atyre vendorë. Shumë shpesh ka qenë arenë e përplasjeve ndëretnike. Paralajmërimet për fillimin e hetimeve edhe në pjesën veriore të Kosovës vijnë në kohën kur janë shtuar zërat për shtrirjen e hetimeve të misionit të EULEX-it edhe në disa institucione të tjera në Prishtinë dhe në disa komuna të Kosovës.

Delina Bitraku
< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›