E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimet për korrupsion, gjykata cakton paraburgim

PRISHTINË- Pas operacionit policor të ditës së djeshme të zhvilluar nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, vendosi masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona dhe një muaj arrest shtëpiak për personin e tretë, të cilët u arrestuan dje.

Pasi u morën në pyetje nga Policia e EULEX-it, dy persona të tjerë u liruan nga ndalimi policor. Ndërsa një person tjetër vazhdon të mbahet në ndalim, njoftoi pak më parë EULEX.

Arrestimi i gjashtë personave dhe bastisjet në 14 lokacione janë pjesë e hetimeve që po vazhdojnë lidhur me dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim, ku përfshihet Policia e Kosovës dhe bizneset që e furnizojnë policinë me armë dhe municione.
Dyshohet se prej vitit 2008, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me miliona euro për shkak të veprimtarive të personave të arrestuar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›