E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimet pezull 1 javë nga udhëtimi në Rusi i Fishekut

15/03/2011  Frika për “arratisjen” e Ilias Fishekut. Grupi përfitoi 8.5 miliardë lekë nga kontrabanda

TIRANE- Një udhëtim i papritur në Rusi i biznesmenit Iljaz Fisheku ka bërë që Prokuroria e Tiranës të ekzekutojë një javë me vonesë urdhër-arrestet për 14 të personat që dyshohet se kanë kryer kontrabandën e naftës virgin në Shqipëri. Frika e një “arratisje” të mundshme e bosit të kompanisë “Fisheku” sh.a. ka bërë që grupi i hetimit të vendosë shtyrjen e urdhër-arresteve nga data 5 mars deri më 11 mars, ditë kjo kur dhe filloi operacioni i gjerë për arrestimin e të dyshuarve. Drita jeshile për vënien në zbatim të planit mësohet të jetë ndezur menjëherë pas rikthimit nga Rusia në Shqipëri të biznesmenit Fisheku, i cili është arrestuar nga forcat e policisë. Pas tij Oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ata të Policisë së Shtetit kanë kryer arrestimin dhe të personave të tjerë, ndërkohë që shtetasi Bledar Rama me detyrë menaxher i kompanisë “Euroil” është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mësohet se Rama ka udhëtuar para operacionit në drejtim të një shteti, ku ende nuk është kthyer. Burimet pranë zyrës antikorrupsion thanë se Iljaz Fisheku kishte udhëtuar në drejtim të Rusisë, për të lidhur disa kontrata tregtare, dhe sapo është rikthyer në Shqipëri ai është vënë në pranga. Fisheku njihet në Fier si një nga vëllezërit e Shaban Fishekut, person ky që në vitin 1997 është vrarë me armë zjarri nga persona ende të panjohur. Shkak i kësaj ngjarjeje, sipas policisë, kanë shërbyer konfliktet e shumta që viktima kishte në qytetin e Fierit. Ndërsa për sa i përket personave të tjera të dyshuar si të implikuar në aferën e naftës “Virgine”, Prokuroria shprehet se ata janë arrestuar në banesat e tyre. 13 të arrestuarit ndodhen të izoluar në qelitë e burgut 302 dhe 313, ndërsa vetëm biznesmeni i kompanisë “Euroil” Hajri Elezaj, është transportuar me urgjencë në spitalin nr 1, pasi gjatë qëndrimit në qeli pësoi disa çrregullime shëndetësore. Pas trajtimit mjekësor Elesaj gëzon shëndet të mirë, por vazhdon të qëndrojë në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” Tiranë. Lidhur me këtë çështje Prokuroria e Tiranës është duke vazhduar hetimet, ku pritet se në ditët në vazhdim do ketë hetime të tjera. Aktualisht hetuesit janë duke kaluar në “skaner” të gjithë provat e grumbulluara në kompanitë e “Fisheku” dhe “Euroil”, ndërkohë që së shpejti do marrin në pyetje edhe personat e arrestuar, të cilët do sqarojnë pozicionin e tyre lidhur me këtë aferë korruptive. Për të vërtetuar akuzat e këtij hetimi, Prokuroria disponon dhe më shumë se 50 disketa që tregojnë përgjimin e të pandehurve.

Verifikim kompanisë “Euro Petrol”

Përveç dy kompanive “Fisheku” Sh.a dhe “Euroil” sh.a një firmë e tretë është nën hetim nga njësia Task-Forcë, pasi dyshohet se ka kryer gjatë viteve 2007-2009 kontrabandën e naftës virgine nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi dhe më pas në Serbi. Burimet thonë se kompania “Euro Petrol” me qendër në Durrës, ka bërë me tren disa dërgesa në këtë drejtim. Këto dërgesa tashmë janë bërë objekt hetimi për Prokurorinë e Tiranës, e cila për të faktuar dyshimet e saja, pak kohë më parë i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve serbe, ku kërkojnë informacione lidhur me sasitë e naftës së zhdoganuar në doganat serbe. Nga hetimet e kryera ndaj kësaj kompanie nuk janë gjendur prova për një kontrabandë të mundshme, por hetuesit theksojnë se gjithçka do zbardhet pas mbërritjes së letërporosisë nga autoritet serbe.

Kontrabanda, fitimi 8.5 miliardë lekë

Sasia që kanë tregtuar dy kompanitë “Fisheku” sh.a dhe “Euroil” sh.a, sipas Prokurorisë, arrin afërsisht në 17 mijë ton. Burimet thanë se çdo litër naftë e tipit virgine është blerë nga “ARMO” me çmimin 500 lekë të vjetra dhe se duke kryer një llogaritje formale të sasisë së naftës me çmimin që është blerë fitimi financiar kap shifrën e 8.5 miliardë lekëve. Kjo shifër astronomike është përfituar jo vetëm nga dy firmat që kanë kryer këtë aktivitet, por edhe nga shtetas të tjerë që kanë ushtruar detyrën e tyre në administratën e Drejtorisë së Doganave dhe Tatim-Taksave. Burimet thanë se tashmë hetimet do shtrihen edhe tek punonjësit e Institutit Qendror Teknik, të cilët dyshohet se gjatë kontrolleve kanë konstatuar në karburante përqindje të lartë virgine, por që në fakt nuk e kanë denoncuar si fenomen. Pritet që për këtë çështje shumë persona të merren në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Sekuestrimi i “Shotganit”

Gjatë operacionit të arrestimit të 14 personave, hetuesit e Task-Forcës kanë sekuestruar dhjetëra dosje tregtare në zyrat e kompanive “Fisheku” sh.a dhe “Euroil” sh.a. Mësohet se në këtë të fundit, grupi i hetimit ka sekuestruar dhe një armë zjarri të tipit “Shotgan”, por që nuk dihet se kujt nga personave të arrestuar i përket kjo armë. Gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve pritet të zbulohet dhe pronari i armës. Veç këtyre materialeve janë sekuestruar kompjuterë e shumë fatura dhe kontrata që tregojnë shitjen dhe blerjen e produkteve të hidrokarbureve.

Të gjithë në burg

Gjykata e Tiranës i ka komunikuar masën e sigurisë “burg pa afat” 13 personave të arrestuar nga Prokuroria si të dyshuar për rreth katër vepra penale. Të pandehurit nuk kanë folur gjatë seancës, ndërsa avokatët e tyre kanë kërkuar masa më të buta sigurie. Të vetmit që i është komunikuar masa në spital ka qenë Hajri Elezaj. Mbi të arrestuarit biznesmenët e naftës Hajri Elezaj, Iljaz, Martin dhe Bajram Fishekun, doganierin Edmond Ferraj, punonjësin e tatimeve Dashamir Kasaj dhe të arrestuarit e tjerë rendojnë katër akuza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›