E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi kërkon përmbysjen në Mynih

15/03/2011  Bajern Mynih ka fituar ndeshjen e parë në Milano dhe ka hedhur një hap drejt kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampioneve

Bajern Mynih dhe Inter do të luajnë sot ndeshjen e kthimit në Ligën e Kampioneve të vlefshme për fazën 1/8 të kompeticionit më të madh për klube në Evropë. Skuadra bavareze e nis e kualifikuar këtë ndeshje për shkak të fitores në ndeshjen e parë në Milano, ku goli i Mario Gomez në minutat e fundit i ka dhënë skuadrës një avantazh të dukshëm për tu kualifikuar pikërisht ndaj skuadrës që në sezonin e kaluar i ka mundur në finale. Bajerni pati një kontroll më të madh të topit në “San Siro” dhe do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në “Allianz Arena” për të mbyllur me sukses punën e mirë të bërë dy javë më parë. Bavarezët vijnë në këtë ndeshje me një besim të madh në forcat e tyre pas fitores 6:0 në ndeshjen e fundit në Bundesligë kundër Hamburgut, ku tre gola u shënuan nga Arjen Roben. Mungesa e vetme e trajnerit Luis van Gal është ajo e sulmuesit Ivica Oliç, por në skuadër është përshtatur shumë mirë Mario Gomez dhe mungesa e tij nuk do të ndihet. Nga ana tjetër zikaltrit italian shkojnë në Mynih me misionin për të shënuar dhe për të vazhduar rrugën drejt një tjetër finaleje në Ligën e Kampioneve. Ndryshe nga ndeshja e parë ku Leonardo preferoi ta presë Bajernin në mesfushën e vet, këtë herë trajneri brazilian duhet të ndërtojë një skuadër më sulmuesi për të siguruar kualifikimin. Në këtë mënyrë pritet të aktivizojë që nga minuta e parë sulmuesi Goran Pandev përkrahë Samuel Eto. Dyshime shumë të mëdha për Lusion, ndërkohë që Esteban Kambiaso është rikuperuar në kohë. Do të mungojë Diego Milito, i cili ka humbur garën me kohën për të qenë gati për këtë ndeshje, por mund ta nisë nga pankina duke parë që në seancën e fundit stërvitore ka qenë pjesë e grupit dhe ka shënuar gol në ndeshjen stërvitore. Dyshime edhe për Tiago Motën.

Van Gal: Largohem edhe sikur të fitoj Championsin

“Ne patëm një ndeshje shumë të mirë kundër Hamburgut në kampionat, kështu që kemi gjetur një besim të ri në vetvete. Interi mbetet një skuadër e vështirë për tu kaluar dhe duhet të bëjmë kujdes, - ka thënë trajneri i Bajern Mynih, Luis van Gal. Futbolli luhet për të shënuar dhe ne këtë duhet të bëjmë edhe në këtë ndeshje. Nëse fitojmë, do të jetë një ditë speciale, sepse do të mundim kampionët në fuqi dhe për shkak se Bajerni nuk e ka mundur asnjëherë Interin në Mynih.” Për planet e së ardhmes, Van Gal ka thënë: “Në rast se fitoj Ligën e Kampioneve, do të festoj në fushë po ashtu si edhe lojtarët dhe tifozët, por të nesërmen do të largohem dhe Bajerni do të vazhdojë me një tjetër trajner.”

Leonardo: Do të bëjmë gjithçka për të fituar

“Nuk jam duke e menduar eliminimin, por në futboll nuk mund të premtosh asgjë. Ne do të luajmë me një optimizëm të madh, duke ditur forcën tonë. Kemi një dëshirë të madhe, sepse këto ndeshje janë si finale në të cilat duhet të përfshihesh i gjithi brenda saj. Nëse fitojmë do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Tani është momenti i duhur dhe lojtarët e dinë këtë. Do të jetë një ndeshje e madhe dhe ne do të bëjmë gjithçka për të fituar.”

Fakte dhe shifra:

Mario Gomez është shënuesi më i mirë i Bajernit në Ligën e Kampioneve me shtatë gola.

Bajerni ndaj skuadrave italiane ka fituar 6 ndeshje, barazuar pesë dhe humbur katër.

Në 20 raste në kompeticionet evropiane ku ka fituar ndeshjen e parë në transfertë, Bajerni është kualifikuar në raundin tjetër.

Bajerni ka fituar të tre ndeshjet e fundit që kanë shkuar deri në gjuajtjet e penalltive.

Sulmuesi i Interit, Samuel Eto, ka shtatë gola në këtë kompeticion, po aq sa Gomez dhe një më pak se Lionel Mesi

Në transferta gjermane, Interi ka fituar katër, barazuar shtatë dhe humbur katër.

Interi ka blerë nga Bajerni mesfushorin e talentuar 18-vjeçar Kristof Knasmyler, por austriaku nuk është në listën e Ligës së Kampioneve për zikaltrit dhe nuk do të luajë në këtë ndeshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›