E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raunig: Kamza është një histori suksesi

15/03/2011  Ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Florian Raunig, viziton Bashkinë e Kamzës

Me ftesë të kryebashkiakut të Kamzës, zotit Xhelal Mziu, e vizitoi këtë bashki ambasadori i Austrisë në vendin tonë Florian Raunig, i shoqëruar nga znj. Mirela Mancaku, përfaqësuese e zyrës së kooperimit pranë ambasadës austriake. Pasi i uroi mirëseardhjen ambasadorit Raunig, kreu i bashkisë bëri një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve në këtë bashki. Ai e vuri theksin te përmirësimi dhe perfeksionimi i vazhdueshëm i strukturave menaxhuese administrative, ligjore, profesionale e transparente, që sollën rritje të konsiderueshme financiare dhe një bum të paparë investimesh në këtë bashki. Zoti Mziu tha se gjatë katër vjetve të mandatit të tij të parë në drejtimin kësaj bashkie u zgjerua dukshëm numri i bizneseve (gati trefishimi i tyre nga 600 në 1750), puna me projektet dhe investimet kapitale. Duke vijuar më tej, ai prezantoi shifrat e buxhetit dhe të ardhurat e vetë bashkisë në këta 4 vjet, që janë të pakrahasueshme në raport me periudhat e mëparshme. Vetëm buxheti dhe të ardhurat e realizuara në vitin 2010 janë të barabarta me buxhetin dhe të ardhurat e realizuara 9 vjet të marra së bashku, pra 1998-2006. Kjo sipas zotit Mziu solli që investimet dhe ndryshimi urban në këta 4 vjet të jenë me ritme tepër të larta në rrugë, ndërtim, ujësjellës-kanalizime, energji, arsim, mjedis, rend etj. "Në shifra investimet e bashkisë në këta 4 vjet janë 10 herë më të larta se investimet e 8 viteve 1998-2006 të marra së bashku. Për rrjedhojë, vetëm asfaltim rrugësh u realizuan në një gjatësi prej 60 km, pa llogaritur kilometra të tërë hapje të hapësirave publike, dhjetëra përmirësime e rikonstruksione në institucione, ndërtim shkollash e kopshte të reja, komisariati i policisë, pallati i kulturës, stadiumi, emblema e bashkisë etj., që janë jo vetëm objekte të reja, por vlerësohen në parametrat më bashkëkohorë. Kjo ka bërë që zhvillimi demografik në lagjet e Kamzës të jetë i vrullshëm dhe, për rrjedhojë, në këta vjet Kamza të shndërrohet në bashkinë e 6-të në vend dhe një bashki konkurruese midis bashkive më të mëdha dhe më me përvojë të Shqipërisë e pse jo edhe të rajonit", - tha kryebashkiaku Mziu. Ambasadori Raunig tregoi interesim të veçantë për sistemin adresave, kjo për faktin se këtu janë emërtuar më shumë se 500 rrugë të reja me emra personalitetesh, qytetesh e institucionesh jo vetëm nga vendi, por dhe nga bota. Atij i bëri përshtypje të veçantë emërtimi i dy rrugëve me emrat "Vjena" dhe Moxart", dhe kjo sipas ambasadorit Raunig shërben edhe si urë për forcimin e miqësisë midis dy vendeve. Pasi falënderoi kryebashkiakun Mziu për ftesën dhe mikpritjen e veçantë, ambasadori Raunig e cilësoi Kamzën një histori suksesi për gjithë rajonin. Kjo sipas tij edhe për faktin se përvoja e urbanizmit të Bathores, që ai e ka asistuar bashkë me “Co Plan”, tashmë po implementohet edhe në lagjen e ish-kënetës në Durrës. Gjithashtu ambasadori Raunig premtoi mbështetjen e projekteve të bashkisë së Kamzës në fushën e mjedisit nga qeveria austriake si dhe mundësinë e binjakëzimit të saj me një bashki të përafërt të Austrisë.

Në fund të takimit kryetari i bashkisë i dha ambasadorit Raunig medaljen “Mirënjohja e qytetit të Kamzës”. Ambasadori Raunig dhe znj. Mirela Mancaku vizituan gjithashtu mjediset e kësaj bashkie dhe u bëri përshtypje të veçantë zyra e pritjes, e informimit dhe e shërbimit One Stop Shop me një rrjet zinxhir shërbimesh on-line për komunitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›