E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lum festimesh edhe në kryeqytet

15/03/2011  Dita e Verës

Dita e Verës është festuar zhurmshëm edhe në kryeqytet. Për të shtatin vit radhazi kryeqytetasit u janë bashkuar aktiviteteve festive të konceptuara në formën e spektakleve me elemente të larmishme argëtuese për të gjitha grup-moshat, duke sjellë pranë tyre magjinë e një stine që zgjon shpresat dhe ëndrrat për këdo. Kjo traditë e hershme, që simbolizon ardhjen e stinës së ngrohtë, ka mbushur të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit me larmi aktivitetesh, pjesë e të cilave ishte edhe vetë kryebashkiaku Edi Rama. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda, kreu i Bashkisë ka përshkuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ka uruar të gjithë shqiptarët për një pranverë shprese dhe për një fillim të ri për Shqipërinë e shqiptarët. Duke filluar nga ora 10:00 e deri në orët e para të pasdites, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” jehoi nga tingujt e muzikës dhe festimet tashmë tradicionale. Këngëtarë e grupe të njohura të muzikës moderne performuan në skenën e urës së madhe, ndërkohë që zona pedonale e Bllokut ofroi shumë argëtim e surpriza për të rinjtë. Ballokumeve të Elbasanit dhe veroreve iu shtuan dhe produktet e shumë kompanive të njohura, të cilat në Ditën e Verës u ofruan falas për qytetarët. Fëmijët, si gjithmonë qytetarët e preferuar të kryeqytetit, gjetën koncertet e tyre të dashura, “Xhaxhi piktorin” dhe shumë lojëra të tjera përgjatë bulevardit, ndërsa në lulishten e vëllezërve Frashëri harqet, muzika klasike dhe stendat e librave ishin protagonistë të festimeve, duke filluar nga ora 10:00. Dita e Verës në Tiranë u kthye kështu jo vetëm në një arenë gjigande argëtimi, por dhe një vend ku të gjithë të interesuarit shijuan tendencat më të fundit të modës dhe estetikës. Ata patën shansin të shihnin nga afër modelet më të reja për këtë vit falë parukierëve dhe estetistëve të njohur, që performuan në një skenë gjigande. Shpresa dhe gëzimi për një të ardhme më të mirë e të begatë ka krijuar shekuj më parë këtë festë, që bashkia në 7 vjetët e fundit e ka sjell edhe më të hareshme për kryeqytetasit e saj, por dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›