Arrestimi i Gëzimit të Kashtës nga injorimi i gjykatës

TIRANË- Arrestimi i Gëzim Salillarit në Greqi, i njohur edhe si "Gëzimi i Kashtës", është kryer nga autoritetet greke të Policisë Kufitare, për shkak se ai nuk kishte respektuar vendimin e Gjykatës së Barit, për t'u paraqitur atje pas dhënies së vendimit të dënimit të kësaj të fundit me 18 muaj burg në ngarkim të tij.
Një fakt i tillë është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët pohuan se Salillari, i arrestuar me bujë në vitin 2006, në atë kohë ishte ende në proces penal në Ital. Materialet hetimore të kësaj dosjeje në ngarkim të tij, ishin nisur në drejtim të Shqipërisë.
Ndërkaq, nga verifikimi i tyre nga Prokuroria e Krimeve të Rënda u konfirmua se akuza për të cilën Salillari ishte nën hetim, në Shqipëri ishte e njëjtë me atë të veprës penale të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Nga klasifikimi, doli se Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk ishte kompetente për këtë gjykim. Ndërkaq gjatë hetimit, u konstatua se Gëzimi i Kashtës, u dënua për këtë vepër penale në Itali në Gjykata e Barit me 18 muaj burg, dhe nuk mund të dënohej dy herë për të njëjtin krim. Pas dënimit, Gjykata e Barit, i la një afat të caktuar për t'u paraqitur para gjykatës e cila më pas duhej të vendoste për anullimin e vendimit apo të dhënies së tij me kusht.
Gjatë kësaj kohe mësohet se i arrestuari, kishte qenë në burg në Shqipëri. Ndërkaq kjo mosparaqitje i shkaktoi Gëzimit të Kashtës edhe arrestimin e tij, në Greqi, në bazë të vendimit të dënimit të dhënë nga autoritetet italiane.
Ky vendim mësohet se ka marrë formën e prerë me 10 shkurt të këtij viti, duke qenë se Salillari, nuk është paraqitur pranë Gjykatës Italiane, ndërsa emri i tij ka mbërritur në të gjitha listat e Interpolit. Gëzimi i Kashtës u arrestua me 27 prill të vitit 2006, bashkë me Artur Vaqon, i njohur me ermin Tur Labi, pikërisht për hetimin e nisur në Itali.
Kjo çështje shkaktoi debat mes pozitës dhe opozitës në atë kohë, duke qenë se PD-ja në pushtet akuzonte Prokrurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, për mosekzekutim të urdhrave të ndryshëm të organeve të huaja të drejtësisë ndaj personave të cilësuar në Shqipëri si koka të krimit të organizuar.
Salillari dhe Vaqo, ishin dy nga tre personat që, sipas autoriteteve italiane, i shpëtuan drejtësisë gjatë një operacioni antidrogë me 21 të arrestuar në Itali.