Arrestimi i Karaxhiçit dhe mbeturinat e nacionalizmit
Para një viti, kur isha në një vizitë punë në Beograd, jam tronditur kur pashë me sytë e mi që fotot e kriminelëve Radovan Karaxhiç dhe Radko Mlladiç, që ishin të ekspozuara në shitje publike, pikërisht tek portat e Kalasë së Beogradit. I befasuar nga ky fakt, atëherë kam shkruar një artikull në gazetën “Shekulli” me titull “Kur kalon nëpër Beograd”. Pikërisht për këtë dyfaqësi dhe qëndrim paradoksal të politikës serbe. Nga njëra anë, zyrtarisht ata ishin “persona në kërkim” si kriminelë lufte dhe, nga ana tjetër, në qendrën historike të qytetit, ekspozoheshin fotot e dy kriminelëve, nga më të mëdhenjtë e shekullit që kaloi.
Këtë fakt e rimendova tani që, më në fund, njëri prej tyre u arrestua dhe do të dalë para drejtësisë. Por ajo që më çuditi është fakti që edhe tani që arrestimi i Radovan Karaxhiçit u bë fakt i kryer, dhe që përgatitet për të shkuar drejt Hagës, me akuzën për krime kundër njerëzimit, opinioni publik ndërkombëtar pësoi tronditje me qëndrimin absurd të një pjese të qytetarëve serbë, që dolën me këtë rast rrugëve të Beogradit, në mbrojtje të idhullit të tyre kriminel. Ngjarja ishte e pazakontë për kohën demokratike, pavarësisht se mund të duket si veprim i shkëputur i një turme njerëzish, politikisht jo normal dhe qytetarisht të paekuilibruar.
Për fat të keq, kjo ngjarje e mirëpritur nga e gjithë bota demokratike, për të vënë para bankës së të akuzuarit këtë kriminel ordiner, shërbeu si rast për të treguar realitetin e vërtetë, se ende në Serbi ka ndjenja të fuqishme të nacionalizmit serbomadh. Madje edhe tani që historia u dha leksione të qarta të qytetërimit. Protestat në rrugët e Beogradit, edhe pse të kufizuara në numër dhe të mposhtura nga policia, janë një tjetër tregues sintetik se sa thellë ka hyrë ndjenja e megalomanisë nacionale, se sa shumë janë të lidhur një pjesë e njerëzve me ish-liderët kriminelë, kasapë të popullit serb, shqiptar dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Nuk do ta besoja që marrëzitë nacionaliste të jenë ende kaq të forta, qoftë edhe në shtresa të kufizuara të këtij populli të kulturuar, po të mos i kisha parë skenat dhe “duhmat nacionaliste”, në mbrojtje të këtij krimineli.
Janë defekte me efekte të mëdha politike dhe psiko-sociale të mëdha këto që ndodhën në Beograd pas arrestimit të Karaxhiç, që dëshmojnë më shumë se pamjet empirike të televizionit. Këto sjellje sociale nuk janë vetëm rrezik për të sotmen, por dhe për të ardhmen europiane të Serbisë. Është fatkeqësi sepse në ditët tona kjo ngjarje mund të ndodhë me pak popuj, truri i të cilëve vazhdon të jetë i shpëlarë nga karizma gjakatare e kriminelëve të këtij kallëpi. Është paradoksale që ka ende qytetarë serbë që shfaqin publikisht besnikëri të verbër, ndaj një njeriu që i turpëroi serbët si popull dhe si komb, që bëri në njëfarë mënyre përgjegjës, për ato masakra të mëdha të Srebrenicës dhe më tej, të dirigjuara dhe të orkestruara nga mendja kriminale e Karaxhiçit dhe bashkëluftëtarit të tij, Radko Mlladiç. Megjithëse kaloi një kohë e gjatë dhe në dritë kanë dalë mijëra fakte e ngjarje nga bëmat e tyre, duket se ende ka “turma” qytetarësh që në vend të gëzonin për arrestimin e kriminelit, të pranuar nga opinioni publik ndërkombëtar, tregojnë se nuk janë purifikuar nga sjelljet dhe mentalitetet nacionaliste, nga propaganda e sëmurë që minimizon krimet e tyre.
Radovan Karaxhiç është përgjegjës, sepse ai nxiti urrejtjen dhe organizoi masakra nacionaliste të tipit më të rëndë të gjenocidit kundër popujve të tjerë, sidomos ndaj boshnjakëve. Skenat e masakrave për nga llahtaria që të shkaktojnë, janë përtej atyre të hitlerianëve në Luftën e Dytë Botërore.
Kundërveprimi i “turmës qytetare” në Beograd, dalja hapur në mbrojtje të veprës kriminale të Karaxhiçit, nuk është një veprim që të mund të vlerësohet si i thjeshtë dhe spontan, as si reagim biologjikisht i pakontrolluar. Edhe këto janë të mundshme të ndodhin kur turmat instrumentalizohen. Por protesta në mbrojtje të tij, është përtej motiveve me natyrë populiste, instiktive dhe biologjizante. Ai ishte një reagim i menduar ideologjikisht, me ngarkesa të dukshme nacionaliste, megalomane dhe arkaike, që turpëron jo vetëm ata, por në njëfarë mënyre indirekt njollos edhe personalitetin e popullit serb. Koha moderne nuk është më për njerëz me “tru të shpëlarë” nga çfarëdo orientimi ideologjik të vjetër, antidemokratik dhe kundërhuman.
Ngjarja, pavarësisht numrit të protestuesve në mbrojtje të Karaxhiçit, është një tregues që duhet vlerësuar përtej sasisë së pjesëmarrësve në protestë. Sepse duhet parë në vështrimin cilësor. Në këtë kontekst ajo është një tregues social elokuent i thellësisë së sëmundjes nacionaliste që ka mbërthyer shtresa të indoktrinuara, të instrumentalizuara nga ideologjia e vjetër e pinjollëve të fundit të nacionalizmit serb, siç janë Karaxhiç dhe Mlladiç. Ajo që të shqetëson dhe që është përtej kësaj proteste, është fakti se me sa duket ende në Serbi ka struktura të caktuara politike apo sociale që përbëjnë “bazën” që ndikon në shpëlarjen e trurit të disa qytetarëve, të cilët të verbuar nga “idolatria” e udhëheqësve të tyre dhe “helmi” i vjetër i nacionalizmit, nuk janë në gjendje të kuptojnë pozitën e vështirë të tyre, veprimin absurd nacionalist, në kundërsens me nevojën e zhvillimeve integruese e demokratike, që janë të domosdoshme të ndodhin me një shpejtësi tjetër në Serbi. Është i habitshëm fakti dhe të bën seriozisht të mendosh, se si është e mundur që edhe pse të dokumentuara krimet e këtij njeriu të përbindshëm, ai ende ka “pushtet prej magjistari”, tek një pjesë e njerëzve që kanë dizekuilibër nacionalist, që e kërkojnë me sa duket këtë monstër, si pikë mbështetje për idetë e tyre të deformuara. Si ka mundësi që këta qytetarë të mos jenë të bindur dhe të mos kenë një gjykim të pavarur për këtë njeri, që vetëm i turpëron? Fakti që ende ka qytetarë që veprojnë dhe orientohen me skemën e vjetër të orientimit nacionalist, të mbrojtjes dhe shenjtërimit të disa liderëve të këtij formati të shëmtuar, që jo vetëm nuk duhen mbrojtur, por duhen denoncuar për aktet e tyre kriminale, duke i dërguar para drejtësisë, tregon se ka vatra të sindromës dhe enklava të rezervatit nacionalist.
Personalisht do të më vinte mirë, nëse kjo ngjarje është një episod i shkëputur, apo një marri rastësore e një “turme pa tru”, ose e disa njerëzve që nuk kanë ndjenjë identiteti qytetar. Megjithatë, veprimi irracional i protestuesve të Beogradit në mbrojtje të kriminelit të arrestuar është më së paku një veprim që dëshmon se shoqëria serbe, ka shumë punë me veten dhe nevojë për të purifikuar ndërgjegjen e vjetër nacionaliste të deformuar. Veprimi mund të quhet me shumë përcaktorë dhe epitete, si veprim anormal dhe kundër-qytetërues, etj.
Por për të gjithë popujt e qytetëruar të kontinentit tonë, por dhe më gjerë, demonstrimi në mbrojtje të Karaxhiçit ka qenë i neveritshëm dhe i pabesueshëm, sepse tashmë ka kaluar aq kohë sa mund të ishte e mjaftueshme për ndërgjegjësim qytetar për përgjegjësitë e Karaxhiçit. Akoma më keq, është e pabesueshme që figura e këtij njeriu të shërbejë, qoftë edhe për një pakicë qytetarësh, si model frymëzimi emocional nacionalist. Nga kjo pikëpamje, protesta ishte krejt primitive dhe jashtë perceptimit të shoqërisë moderne. Të mbrosh kriminelin, do të thotë të jesh në kundërshtim me nevojën e zhvillimit demokratik të shoqërisë serbe. Kjo është ajo që i duhet këtij vendi, i cili, me sa duket, ka punë për të shëruar sindromën dhe plagët e nacionalizmit anakronik. Ndoshta arrestimi i Karaxhiçit, mund të bëhet “precedent” që mund të ndikojë dhe të ndihmojë shoqërinë serbe që të largohet nga plagët dhe fantazmat e nacionalizmit që përgjakën Ballkanin. Karaxhiçi nuk është vlerë që duhet mbrojtur, por figurë që duhet urryer, në radhë të parë nga populli serb, për shkak se ai është një njollë turpi që mund të shlyhet vetëm në Hagë... Fundi i tij dhe i mikut të tij, Mlladiç, do të jenë me siguri, sinjal qytetërues për qytetarët e ndershëm të Serbisë për të shpëtuar prestigjin kombëtar, duke u larguar përfundimisht nga “kufomat” dhe “fantazmat” e nacionalizmit...