Kërcënon qeveria: Vjedhja e energjisë të fut në burg
Ministri i Ekonomisë, z.Genc Ruli deklaroi se po përgatitet një ligj i ri, për të shpallur vepër penale vjedhjen e energjisë elektrike
Qindra shqiptarë janë denoncuar deri më sot për vjedhje të energjisë elektrike apo ndërhyrje të paligjshme në rrjet, por me statistika, asnjë prej tyre nuk ka pësuar gjë. Drejtori i KESH, Gjergj Bojaxhi, deklaroi disa kohë më parë se nga qindra denoncimet që Korporata ka dërguar në Prokurori, vetëm dy raste kanë kaluar në gjykatë. Deri më sot, vjedhja e energjisë elektrike është konsideruar si kundravajtje administrative. Qeveria ka vendosur që të propozojë shpalljen e këtij veprimi si vepër penale. “Po përgatisim një ligj të ri, që të vendosin nën ndjekje penale të gjitha subjektet, private apo shtetërore, biznese apo familje, që rezultojnë vjedhës të energjisë elektrike”, - deklaroi dje ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli.
Z.Ruli u takua dje me përfaqësues të katër kompanive të interesuara për blerjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, (OSSH sh.a.), ish-Divizioni i Shpërndarjes i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare që nga 1 Korriku është kompani më vete. Blerësi i OSSH do të përballet menjëherë me nivelin e lartë të humbjeve në rrjet, të cilat sot për sot arrijnë në 35% të energjisë totale të furnizuar. Përveç kësaj, nga energjia e faturuar, vetëm 75% e saj arkëtohet, ndërsa pjesa tjetër hyn te detyrimet e pashlyera. Qeveritë e ndryshme kanë falur këto detyrime herë pas here.
Kompania e re ka 6400 punonjës dhe nga të ardhurat, është më e madhja në Shqipëri. Ajo ka mbi 1 milionë konsumatorë. Të ardhurat e saj totale pritet të arrijnë këtë vit në 28 miliardë lekë, sipas vetë OSSH, ndërkohë që Plani i Masave të Qeverisë ka programuar të ardhura në masën 34.2 miliardë lekë.
Përpjekje për të bindur investitorët
Katër kompanitë e interesuara për OSSH, kanë aktivitete të shpërndarjes së energjisë elektrike edhe në vende të tjera të rajonit, ku janë përballur me probleme tërësisht të njëjta me ato të Shqipërisë. Humbjet në rrjetin e transmetimit janë pjesërisht si pasojë e vjedhjes së drejtpërdrejtë dhe pjesërisht si pasojë e amortizimit të rrjetit. Vjedhja e drejtpërdrejtë kërkon funksionimin e institucioneve të ligjit për t’u trajtuar si problem, ndërsa humbjet në rrjet kërkojnë investime. Edhe vjedhjet, është e vështirë të identifikohen pa investuar më parë në ndryshimin e rrjetit. Nisma e qeverisë për të shpallur vepër penale, vjedhjen e energjisë elektrike, synon të bindë kompanitë e interesuara që të blejnë OSSH. Vetë ministri Ruli ka folur disa ditë më parë me tone pesimiste.