E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, letra anonime për dekretet e Topit

 

Kryetarja e Kuvendit përfshin në dosjet e tre gjyqtareve të dekretuar edhe ankesat e ardhura nga populli

TIRANË- Gjashtë të dekretuarit e presidentit Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, përveçse të emocionuar, në seancën dëgjimore janë përballur me një sërë ankesash, por këtë herë jo nga politikanët. Në dosjet e tyre ishin përfshirë edhe letra nga populli ku qytetarë të thjeshtë e deri avokatë, kishin nisur ankesat e tyre për gjyqtarët e propozuar nga kreu i shtetit. Ky fakt e bëri problematike situatën në 60 minutat e para të mbledhjes së djeshme në Komisionin e Ligjeve, pasi u kontestua ashpër nga deputetët e opozitës, por edhe deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Sipas tyre, dosja e gjyqtarëve përpos veprimtarisë së tyre, duhet të përmbante vetëm të dhënat e kërkuara nga institucionet e specializuara si Ministria e Drejtësisë, KLD dhe ILDKP. Por krejt papritur, dje, në fund të tre prej dosjeve të gjyqtarëve ishte përfshirë edhe letra e dërguar e një qytetari që shfaqte ankesat e tij kundrejt një gjyqtari për çështje pronësie, si dhe një tjetër letër, që vinte nga një zyrë avokatie. Përmbajtja e letrave në fjalë mund të interpretohet edhe si mesazh për deputetët e mazhorancës, lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë gjatë votimit në Kuvend, duke qenë se ky proces do të jetë krejtësisht i fshehtë. Në letrat që gazeta “Shekulli” disponon përfshihen vërejtje dhe akuza kundrejt tre gjyqtarëve të dekretuar nga presidenti Topi, emrat e të cilëve, për arsye etike, nuk po i botojmë, duke qenë se përmbajtja e letrave është klasifikuar “konfidenciale” dhe se, për hir të së vërtetës, ato pasqyrojnë vetëm njërën anë të medaljes.

Letrat

“Në shtypin e përditshëm janë publikuar emrat e 6 juristëve të cilët Presidenti i Republikës ka dekretuar për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë. T’ju them të drejtën, duke qenë jurist prej vitit 1962, pra në moshën 70-vjeçare, këto që po ju shkruaj nuk kanë të bëjmë me një zili profesionale ose konflikte personale me të dekretuarit, por nga 6 të dekretuarit për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë, tre nga ata, me veprimet e tyre, nuk justifikojnë qenien e tyre në atë post”,- thuhet në fillim të njërës prej letrave që mban firmën e një zyre avokatie që ushtron aktivitetin ne Tiranë, e cila me pas vijon edhe me emrat konkretë. Letra i është drejtuar Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila përmes një shënimi në kokën e letrës së fotokopjuar, vë në dijeni kryetarin e Komisionit të Ligjeve. Një tjetër qytetar i ka dërguar letër Kryetares së Kuvendit për njërën prej tre gjyqtareve femra të dekretuara nga Presidenti i Republikës. Madje qytetari, që për arsye etike, emri i tij nuk botohet në gazetë, i lutet Kryetares së Kuvendit në këtë mënyrë: “Jemi të bindur se brenda ligjit dhe kompetencave që ju ka dhënë Kushtetuta, nuk do të lejoni që persona të cilët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin të arrijnë të emërohen në Gjykatën e Lartë”.

Debati

Pikërisht përfshirja e letrave jashtë institucioneve të kërkuara nga Komisioni i Ligjeve, ka bërë që anëtarët e opozitës, por edhe deputeti demokrat Dashnor Sula, ta cilësojnë të padrejtë një veprim të tillë. “Letrat, për mendimin tim, nuk kanë asnjë lloj vlere”,- tha Sula. Edhe anëtari tjetër i Komisionit të Ligjeve, socialisti Blendi Klosi u shpreh se mënyra se si është mbushur dosja me letra nga populli, bën të dyshosh se mazhoranca po tregohet tendencioze për kandidatura të caktuara. Ndërsa Fatos Beja deklaroi se, “në asnjë rast nuk kam të drejtë, që letra që dërgohen nga populli për këtë proces t’i mbajmë në një sirtar të caktuar. Nuk kemi pse të injorojmë asnjë letër dhe asnjë informacion që vjen”. Një debat i tillë vijoi edhe gjatë seancës me dyer të mbyllura. Pas përfundimit të mbledhjes, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa u shpreh se, “gjatë mbledhjes pa praninë e medias u debatua për mënyrën se si ishin përgatitur dosjet, mënyrën se si ishte proceduar nga Kryetarja e Kuvendit, duke bërë një përzgjedhje të selektuar dhe mbi të gjitha një përzgjedhje jo të të njëjtit standard”.--------------------------------------------Seanca dëgjimore ishte krejtësisht formale, po aq sa edhe qëndrimi i anëtarëve të komisionit

Ligjet, 6 dekretet e Topit kalojnë për votim

TIRANË- Shumë zhurmë për asgjë. Kjo shprehje i shkon shumë për shtat asaj që ndodhi dje në Komisionin e Ligjeve, teksa pritej seanca dëgjimore për 6 kandidaturat e Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë. Përpos debatit 60 minutash për procedurën që do të ndiqej, anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të mjaftuar me sa duket me atë që sërvirte dosja e gjithsecilit, kanë qenë krejt të heshtur teksa 6 kandidatët kanë referuar mbi veprimtarinë e tyre. “Raportimi” i kandidatëve u përqendrua vetëm tek CV-të e tyre, ndërkohë që edhe anëtarët e komisionit kanë qenë thuajse inaktivë gjatë pyetjeve që normalisht duhet të përgatisnin, sa kohë që prej më shumë se një muaji, të gjitha ndryshimet në Rregullore u bënë edhe në funksion të kësaj çështjeje. Pas dëgjimit të kandidatëve, anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë vijuar mbledhjen, pa praninë e medias, duke vendosur që të kalonin të 6 kandidaturat për votim në Kuvend. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, deklaroi pas mbledhjes se të gjashtë kandidaturat i plotësonin nga ana formale kriteret ligjore, ndërkohë që gjithçka pritet që të vendoset në Kuvend, kur do të bëhet edhe votimi për secilin kandidat. Partia Demokratike ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar rreth kandidaturave. Edhe PS pritet të mbledhë forumet e saj, për të dalë me një qëndrim. “Ne do të mbledhim grupin parlamentar. Përfaqësuesit e PS-së në Komisionin e Ligjeve do të referojnë në grupin parlamentar nw seancës dëgjimore rreth dosjes së secilit kandidat dhe në fund, do të vendosë grupi, sigurisht”,- tha Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›