Kërkoni ndjesë z.Kryeministër!
Edhe e djeshmja ishte një ditë e trishtuar. Ne të gjithë, çdo njeri normal i këtij vendi, prisnim Kryeministrin (aq më pak prisnim djem të edukuar si Aldo apo Gerti të dilnin në foltoret e radhës) të kërkonte ndjesë... Ndjesë, deputetit më të ri të Kuvendit të Shqipërisë, gati moshatar me të birin e Kryeministrit, ndjesë të fejuarës së deputetit, si dhe motrës së tij, pak më të reja në moshë se e bija e Kryeministrit, ndjesë nënës së deputetit që të rifitojë gëzimin e përgatitjes së dasmës së të birit, ndjesë mua, qytetares që e kam respektuar si përfaqësuesin e zgjedhur të Kavajës dhe e kam besuar përrallën e familjarit të mirë dhe kodin e tij moral! 1000 herë ndjesë të gjithë shqiptarëve...!
Ajo që pamë dhe dëgjuam dy ditë më parë ishte e papritur, tronditëse, revoltuese, primitive.
“Hiqni fëmijët nga ekrani!”. Sepse ajo që do të vijonte ishte edhe e pashembullt... Po, e pashembullt! Nga fare pak deputetë e ish-deputetë edhe kemi parë sjellje të shëmtuara, edhe kemi dëgjuar fjalë të padëgjueshme, por nga kryeministra kurrë! Nga z.Meta, më i riu, te prof.Meksi, më i moshuari... Kurrë! Përkundrazi!
Shqiptarët ndër vite kanë parë e dëgjuar zhurma, llafazanëri, hipokrizi, servilizëm e agresivitet në atë institucion. Shumë analiza janë bërë e do të bëhen. Disa prej këtyre shfaqjeve janë konsideruar kalimtare e të tranzicionit, rrjedhojë më së shumti e mungesës historike të kulturës institucionale demokratike, shumë janë ndrequr e hedhur tej, duke mësuar në punë e sipër se si funksionon demokracia. Ndonjë deputet, ndër këta të paktët e përfshirë në këto lloj sjelljesh, edhe është "justifikuar" si i ri apo gjaknxehtë, i paedukuar apo dhe i pakulturë e rritur keq. Po Kryeministri ynë, Profesor Doktor prej gati 30 vjetësh, politikan profesionist prej 17 vjetësh, si mund të justifikohet? Si mundi të artikulonte atë agresion fjalësh të paemër, si mundi të fyejë një familje të tërë? Si mund të mos llogarisë fare deputetët e grupit të tij, reagimin e tyre civil? Po qytetarët dhe opinionin e tyre? Po reagimin e vetë familjarëve të tij, që me kujdes janë përpjekur t'i krijojnë imazhin e një njeriu të butë e të dhembshur? Nuk po analizojmë fjalët e deputetit Balla (asnjë fjalë poshtëruese) që merrnin shkas nga një fakt i vërtetë, por a nuk mund t'i përgjigjej Kryeministri fare thjesht, nëse duhej të përgjigjej, se, tek e fundit, vajza është një juriste e aftë dhe se nuk vendos Ai për karrierën e saj? Paternalizëm arkaik, patriarkalizëm fisnor, humbje ekuilibri dhe qetësie? Të tria bashkë. Për dy të parat është tepër vonë dhe për këtë arsye, e pavlerë për të kërkuar përse-në, por për të tretën, kam të drejtën të pyes: Përse e keni humbur qetësinë z.Kryeministër? Cili institucion, në një sistem demokratik, ju jep të drejtën të fyeni këdo, të bëni insinuata, të mos lejoni të flitet për Ju nëse nuk ju thurin hosanara? Sa ndryshoni ju në thelb nga pushtetmbajtësit e dikurshëm, të cilët e kishin mbaruar misionin e tyre dhe ju, po dikur, shkruanit për kohë të reja dhe cilësi të reja? Rrjedhën e kohës askush nuk e ndalon dot, ajo nuk është meritë e asnjërit, por cilësitë e reja ku janë? Cili nga pushtetet që ju ushtroni, ju jep të drejtën të kërcënoni me jetën një Njeri? Më lind e drejta të mendoj frikshëm si do vepronit ju, po të mos kishte opozitë, po të mos kishte njerëz me shpirt të lirë, gazetarë me kurajë, po të mos kishte...
"Dialogu" parlamentar i asaj fillimtëmarte të keqe nuk do të harrohet lehtë (unë do ta uroja). Ai do jetë jo vetëm subjekt bisedash (por jo humori! Për të mirën e përbashkët, jo humor!), por do të jetë me siguri subjekt studimi për sociologë, psikologë e politologë. Por pak ka rëndësi kjo sot.
Imazhi i Kryeministrit është shpërbërë keqas. Një shans ekziston gjithmonë për ta ndrequr disi. Asnjëherë nuk është vonë për t'u çliruar nga një turp, edhe pse ky është më shumë se një turp.
Kërkoni ndjesë zoti Kryeministër!