Ministri që kërkon kallauz
Spotet promocionale të ministrit Ylli Pango dhe propaganda për investime. Zyrat e reja të Ministrisë së TKRS shiten për tempuj kulture, kurse investimi në Piramidë si një pasuri që do t’i kthehej publikut në vitin 2008
Përkrah spoteve promocionale të MTKRS që bëjnë thirrje për zbulimin turistik të Shqipërisë - kësaj “dashurie të re mesdhetare” - në faqen zyrtare rri edhe “spoti i investimeve të MTKRS për 2007”, do të thoshim edhe për 2008-n. Teksti është ky: “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i jep publikut tempuj të rinj të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore. Godina e re e ministrisë, njëkohësisht dhe Shtëpia e Artit në sallë koncertesh, kinemaje dhe galeri artesh figurative. Instituti i MK dhe shkolla e parë e restauratorëve shqiptarë, biblioteka e Librit Europian. Restaurohen në Gjirokastër Hani i Zagorisë, Qafa e Pazarit dhe mjaft shtëpi karakteristike në Berat.” Këtu ndërpritet leximi i spikerit që ilustron me fjalë pamjet nga lart, brenda dhe anash të ish -Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sot ndërtesë e ministrisë. Ndërhyn ministri Pango me figurë dhe zë: “Shumë më të mëdha do të jenë investimet për vitin 2008. Teatri i madh Kombëtar me një vlerë prej 6.5 milionë eurosh dhe Galeria e madhe Kombëtare brenda Piramidës, Biblioteka e madhe Kombëtare që do t’i rikthehet lexuesit.” Hyn prapë zëri i spikerit: “Arti dhe kultura janë shpirti i një kombi ndaj le t’u japim tempujve të tyre shkëlqimin që meritojnë”. Në ekran rrëshqet, ndërkaq, një foto e Pangos dhe kryeministrit Berisha duke prerë shiritin i inaugurimit në dhjetor të ndërtesës së re.
Shumë e dinë se kjo është ndërtesa më e papërshtatshme për të qenë ministri, me zyrat si redaksi gazete, me shkallët që lidhin katet të ngushta si shkallë minareje dhe korridore ku dy vetë njëherësh nuk kalojnë dot, për të mos folur për funksionet që siç kuptohet nga spoti promocional, në ministri bëhen koncerte dhe hapen ekspozita.S’është çudi që për këto arsye dhe të tjera në një të ardhme të afërt t’i ndërrojë destinacioni.
Shtrohet pyetja: a ka të bëjë ky “spot promocional” me përdorimin e detyrave të ministrit për qëllime propagande dhe, meqë statusi i tij është ai i drejtuesitpolitik, a është ky përdorim i burimeve të ministrisë për qëllime partiake?
Pranëvënia e fjalëve “spot promocional” do të thotë të rrisësh vëmendjen dhe interesin e konsumatorëve përballë një produkti apo një marke industriale; apo propagandë që një firmë përdor për të tërhequr vëmendjen e publikut mbi produktin e vet dhe për të rritur shitjet.
Kurse “spot për investimet” do të thotë t’i bësh propagandë destinacionit të pasurive ekonomike për të fituar pasuri të tjera, pra atë që mbjell një ditë ta korrësh.
Të dyja, qoftë spot i investimeve, qoftë spot promocional është përdorur nga ministri Ylli Pango për të treguar se ç’ka bërë kur ajo që ka bërë – pajisja e vetes dhe e stafit me zyra – është detyrë e tij. Ministri e paraqit situatën sikur këto të jenë tempuj kulture që iu takojnë njerëzve të cilët nga ky koment hamendësohen si besimtarë të tij. Një fikshën me titull “Ati dhe bijtë”.
Që ky ministër kërkon kallauz e tregon gjuha e tij teksa përdor pas fjalëve Galeri, Bibliotekë, Teatër Kombëtar cilësorin “e madhe”. Ministri, siç e thotë tek spoti promocional, i premton “të mëdhatë” publikut për vitin 2008. Viti po ikën dhe i vetmi lajm që vjen nga ministria janë letrat publike e “të ndershme përballë ligjit” në adresë të kanalit televiziv që “po e pengon të punojë” për pallatet prej xhami që do të investojë tek Piramida Pangoja i Kulturës.
Askush nuk ka kërkuar teatër të ri, por sistem kondicionimi ku njerëzit të mos sëmuren nga të ftohtët duke parë teatër. Askush nuk ka kërkuar galeri të re kombëtare, por ajo që është të mos pikojë më dhe ku veprat të mos plasariten nga temperaturat ekstreme; askush nuk ka kërkuar biblotekë të re kombëtare por kthimin e “të vjetrës” nga duart e privatëve tek shteti.
Si kalorësi kalit të betejës, ministri në fjalë “i hipi” Piramidës duke e shpallur kryeinvestim, “më i madhi që është bërë në kulturë për këto 18 vjet”.
Nga ndërrimet e radhës në qeverinë “Berisha” nuk u hoqën ata që morën përsipër shumë dhe nuk i realizuan, as ata që kanë gënjyer dhe që i bëjnë njerëzit të besojnë çka ata vetë s’ka gjasë ta besojnë. Drejtuesi politik i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është menduar gjithnjë ndryshe. Nuk është si fjala vjen ministër i Shëndetësisë të cilit i atribuohen role me influencë në shëndetin dhe jetën e njerëzve. Kurse kultura është parë si punë snobësh dhe vanitozësh, prandaj i mbyllin sytë përballë ministrave të saj, përballë arrogancës dhe fantazisë së atyre, të hipurve mbi kalë.Thënie e ditës
Lumturi do të thotë që të vazhdosh ta duash atë që ke
Shën Agustini