E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i vë kusht ARMO-s për naftë eurodiesel në treg

Kompania që do të privatizojë Armo-n, ka 3 vjet kohë për të përmirësuar cilësinë e naftës. 

Fabiola Çela

Në rast se privatizuesi i Armo-s nuk plotëson këtë kusht, atëherë nafta e prodhuar nga kjo rafineri nuk mund të shitet në tregun vendas. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për cilësinë e lëndës djegëse diesel të prodhuar nga Armo. Sipas këtij vendimi, cilësia e naftës që prodhohet në vend duhet të jetë si ajo e eurodiesel ose e naftës D1 siç njihet ndryshe, pasi kjo naftë është e një cilësie më të lartë dhe ndot më pak mjedisin.
Vendimi
Qeveria vendosi që nafta e prodhuar nga Armo do të shitet në treg, vetëm nëse përmirëson treguesit e cilësisë së naftës. Në bazë të vendimit të miratuar dje nga qeveria, nga data 1 janar 2010, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diesel, nuk lejohet të kalojë vlerën 350 mg/kg. Ndërsa përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 % m/m. Një vit më pas, pra nga data 1 janar 2011, kompania që do të privatizojë Armo-n duhet të kujdeset, që përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diesel, nuk duhet të jetë mbi vlerën e 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk duhet të kalojë vlerën 16 % m/m. Gjithashtu nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diesel, nuk lejohet të kalojë  vlerën 10 mg/kg dhe duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barasvlershme me të. "Nëse pas afateve të përcaktuara vërehet tregtimi i lëndës djegëse diesel, me cilësi, që nuk respekton kërkesat e këtij vendimi, lënda djegëse sekuestrohet dhe dërgohet në destinacionin e përcaktuar nga Inspektorati Qendror Teknik", thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Procesi i privatizimit të kompanisë Armo është drejt fundit. Në tenderin e zhvilluar pak kohë më parë paraqitën ofertat e tyre katër kompani. Oferta më e 'majme' ishte ajo e kompanisë amerikane "Refinery Associates Texas", e cila ofroi plot 125 milionë euro për blerjen e 85 % të aksioneve të ARMO-s.

Ulet çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare

Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar ulje. Për herë të parë pas kaq muajsh një fuçi naftë në bursën Nju Jork është shitur me 120 dollarë e 42 cent. Ndërkohë që në fillim të këtij muaji çmimi i naftës arriti një nivel rekord prej 147 dollarësh për fuçi. Sipas drejtuesve të OPEK-ut çmimet e naftës priten të ulen sërish deri 78 dollarë për fuçi. Por një gjë e tillë mund të ndodhë, nëse vazhdon të rritet vlera e dollarit dhe të përmirësohen tensionet politike në botë. Luhatjet e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare kanë një ndikim mjaft të madh në tregun vendas. Kjo për vetë koniunkturën që ka tregu ku mbi 85 për qind e nevojave të vendit për konsum plotësohen nga importi. Në pikat e karburanteve nafta D2 shitet me 165 lekë për litër, ndërsa ajo D1 me 170 lekë për litër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›