E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet, reaksion masiv në spital

 

KORÇE/ JORGJETA GJANCI

Një reaksion masiv në pavijonin e Kardiologjisë në Korçë rëndon krejt papritur jetën e pacientëve, fill pasi ata morën mjekimet dhe serumin. Drejtuesit dhe gjithë stafi spitalor u vu në alarm, ndërkohë ka dyshime se medikamentet e skaduara të kenë qenë edhe shkaku i kësaj ngjarjeje. Tetë persona pësuan reaksion brenda një ore, duke shfaqur simptoma, si temperaturë tepër të lartë dhe të dridhura. Ata pohuan njëherazi dyshimin e tyre, se personeli mjekësor u kishte dhënë medikamente, të cilave u kishte kaluar data e skadencës. Reaksioni nga medikamentet krijoi situatën alarmante të shtunën e kaluar. Por skandali u mbajt i fshehtë, deri në momentin që vetë pacientët, të cilët ende nuk e kanë marrë veten mirë, bënë dje publik faktin. Sipas tyre, në të njëjtën kohë, të gjithë kanë pasur alergji. Shëndeti i tyre nisi të përkeqësohej, kishin temperaturë dhe dridhje të forta. Menjëherë u krijua një ekip mjekësh të specializuar për të ndjekur situatën e krijuar. Të sëmurët u vunë nën trajtim të veçantë. Mjekët konstatuan se ata kishin pësuar reaksion pas marrjes së medikamenteve dhe vendosjes së serumit. Sipas pacientëve, mjekimi i përbashkët kishte qenë dhënia e serumeve. Por ata theksuan se në serum infermieret shpesh hedhin medikamente të veçanta për çdo të sëmurë kardiak. “Sapo mora serumin ndjeva shqetësim. Kisha të dridhura të forta. Edhe dy të tjerë në dhomën time filluan të kenë të njëjtin shqetësim. Diçka nuk shkonte dhe ne u trembëm shumë. Mësuam se edhe të sëmurë të tjerë në pavijon kishin pasur të tilla shenja. Mjekët u alarmuan dhe ndërhynë shpejt. Gjithçka e patëm nga mjekimet”, u shpreh një pacient, i cili ende nuk e kishte marrë veten mirë nga reaksioni i ndodhur 48 orë më parë. “Dyshojmë tek ilaçet. Mund të kenë qenë të skaduara”, vijoi më pas një tjetër pacient në repartin e kardiologjisë. Të njëjtin dyshim deklarojnë nën zë edhe një pjesë e mirë e bluzave të bardha. Sipas tyre, shkaktar i reaksionit tek tetë pacientët brenda një ore mund të ketë qenë cilësia e serumit dhe ujit fiziologjik, që është përdorur të shtunën pasdite, ose e medikamenteve jocilësore. Pas ndërhyrjes së shpejtë për të qetësuar pacientët e prekur nga ky reaksion, nisën analizat për të identifikuar se çfarë kishte sjellë këtë reaksion tek shëndeti i pacientëve. Personeli spitalor nisi kontrollet për repartin përkatës jo vetëm për sterilitetin e ujit fiziologjik dhe serumeve, por edhe për shumë nga medikamentet, që iu janë dhënë atë pasdite tetë pacientëve të shtruar nga sëmundja e zemrës. Të prekurit nga ky reaksion tashmë janë duke u mbajtur nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve me trajtim intensiv për të kaluar nga gjendja kritike. Gjithë medikamentet, përfshi edhe ujin fiziologjik dhe serumet që u janë dhënë të sëmurëve, menjëherë kanë kaluar për analiza laboratorike, për të identifikuar edhe shkaktarin e reaksionit. Nga analizat doli, se uji fiziologjik është steril. Tani po vazhdon analiza laboratorike e medikamenteve me të cilat u trajtuan pacientët, për të parë, nëse ka mes tyre ka ilaçe që t’u ketë tejkaluar afati i përdorimit dhe janë sjellë të skaduara nga furnizimi. Gjendja vijon të jetë konfuze për mjekët, të cilët ende nuk dinë nga erdhi reaksioni masiv, që rrezikoi jetën e të shtruarve me sëmundje të zemrës.

Nëndrejtori: Gabuan infermieret

Skandalin e reaksionit e pranoi dje edhe nëndrejtori i spitalit të Korçës, Ilir Koroveshi. Por, ndryshe nga bluzat e bardha, një pjesë e të cilëve hodhën dyshimet tek medikamentet, Koroveshi pohoi se ka dyshime se e gjithë ngjarja të ketë ndodhur, si pasojë e ndonjë gabimi të infermiereve në ndërrimin e turneve. “Janë kryer analizat e nevojshme dhe nuk ka rezultuar asnjë problem, që të ketë lidhje me ilaçet apo me furnizimin e fundit të medikamenteve. Nga verifikimet tona rezultoi se kemi të bëjmë me një gabim infermieror, të shkaktuar nga pakujdesia e personelit. Fatmirësisht nuk patëm pasoja të rënda për pacientët dhe situata është zgjidhur falë ndërhyrjes së menjëhershme”, u shpreh nëndrejtori i spitalit. Ai nuk dha shpjegime se çfarë gabimi është bërë gjatë trajtimit të pacientëve. Por nisur nga deklarata e tij, disa mjekë pohuan se ndoshta infermierët kanë ngatërruar medikamentet, që iu kanë hedhur në serum.

Ekspertiza: Gruaja pësoi trombozë
BERAT – Ekspertiza ndaj 45-vjeçares Pranvera Qejvani, e cila humbi jetën pas rënies nga pema javën e shkuar ka treguar se mpiksja e gjakut në mushkëri shkaktoi vdekjen. Njëkohësisht, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje zbardhi faktin se nëna e 3 fëmijëve, nga fshati Sheqë, komuna Lumas në Berat, nuk ishte shtruar në spital. Menjëherë pas rënies nga pema ajo ishte transportuar në urgjencën e spitalit të Beratit me dëmtime të shumta. Por, aty nuk u fut fare në kirurgji, çka ka bërë që ndaj saj të mos hapet kartelë. Ajo ka marrë mjekimin aty dhe një recetë me ilaçe për t’u kuruar në ambientet e shtëpisë. Gjatë kësaj kohe ajo ka vazhduar mjekimin në shtëpi, por më 17 tetor ka shfaqur shqetësime në frymëmarrje, shoqëruar me të vjella. Rrugës për në spital ajo ndërroi jetë. Policia ende po punon për zbardhjen e personave përgjegjës në këtë ngjarje të rëndë.                d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›