E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i ish-luftëtarit të UÇK-së, Interpoli s‘ka informacion

Interpoli reagon pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së Genc Zogaj nga ana e autoriteteve të Hungarisë, i cili më pas është ekstraduar në Serbi me akuzë të ngritur nga gjykatat serbe për "krime të kryera në Kosovë gjatë kohës së luftës". Lajmi është bërë i dituar nga familjarët e personit të arrestuar. Serbia ende vazhdon ndjekjen e luftëtarëve të UÇK-së, ndaj të cilëve vazhdon të hapen padi në mekanizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që të njolloset lufta çlirimtare e Kosovës. Ditë më parë, një problem të kësaj natyre e kishte edhe Kryeministri Hashim Thaçi, pastaj kryetari i PSDK-së dhe ish-kryeministri Agim Çeku. Për të gjitha këto incidente, si edhe për rastin e fundit të ish-ushtarit të UÇK-së Genc Zogaj, Interpoli ka njoftuar dje gazetën tonë, se nuk ka pasur njohuri. Sa i përket rastit të Genc Zogajt, sipas Interpolit emri i tij nuk figuron në asnjë listë si i kërkuar nga kjo organizatë policore ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Genc Zogaj është arrestuar sipas mandatit të regjimit të Serbisë dhe jo sipas ndonjë mandati ndërkombëtar, siç përpiqet Beogradi ta interpretojë.

Në këtë kontekst institucionet shtetërore të Kosovës duhet të angazhohen që t‘i mbrojnë shtetasit e Republikës së Kosovës në mënyrë që t‘u jepet fund veprimeve avantureske të qeverisë së Beogradit, e cila vazhdon të mbetet kërcënim për lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës në Evropë dhe në vende të tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›