E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, refugjatët nga Kosova kërkojnë kthimin

Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në Maqedoni ende ka shumë të zhvendosur joshqiptarë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kumtoi se në Maqedoni janë të regjistruar mbi 1800 të zhvendosur nga Kosova, romë dhe ashkali. Refugjatët kanë statusin e personave nën përkujdesjen humanitare, i cili tashmë ka skaduar. Por ata ende mbeten në Maqedoni.

Afrim Berisha, nga Kastrioti i Kosovës, në Maqedoni jeton si refugjat me familjen e tij tetë prej anëtarësh.

"U bënë 11 vjet që jemi këtu pa asnjë status. Kemi protestuar tre muaj para selisë së UNHCR-së për statusin tonë, sepse Maqedonia vetë gjendet në një situatë të vështirë, e lëre më të kujdeset për ne", thotë Berisha.

Dëshira për kthim

Qeveria e Maqedonisë, së bashku me UNHCR-në, i kanë detyruar ata që të aplikojnë për azil politik, por vetëm 5 për qind nga aplikuesit e kanë fituar këtë të drejtë. Në vitin 2002, kryefamiljari Berisha ka kërkuar vullnetarisht që të kthehet në Kosovë. "Nuk jam i sigurt të kthehem në vendin tim. Më ka ardhur me vulë dokumenti nga UNHCR-ja që nuk ka kthim. Nga 600 familje, vetëm unë kam kërkuar kthim në Kosovë. Jam i lumtur të kthehem në vendin tim, sepse ai vend sa është i shqiptarëve aq është edhe i yni e i të gjithë atyre kombësive që jetojnë atje". Ai ka vërejtje të shumta për kushtet në të cilat jetojnë në Maqedoni, por brenga më e madhe është shkollimi i fëmijëve

"Fëmijët nuk janë duke e vazhduar shkollën. Jam i vetëdijshëm që fëmijët nuk janë të aftë, sepse kanë problem me gjuhën; ata flasin shqip e kjo u pengon romëve nga Maqedonia. Unë jam egjiptian dhe flas gjuhën shqipe", deklaron Afrim Berisha.

Masat e autoriteteve maqedonase

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale e Maqedonisë u ofron refugjatëve nga Kosova vetëm sigurim shëndetësor. Për vendosjen e tyre në kampe është përgjegjës Kryqi i Kuq, ndërsa mjetet financiare mujore sigurohen nga UNHCR-ja, thotë Ardian Muça, udhëheqës i sektorit për mbrojtje sociale.

UNHCR-ja ka paralajmëruar se nga viti 2010 do të tërhiqet prej Maqedonisë, që nënkupton se barra e tërësishme për të zhvendosurit kosovarë do t‘u bie autoriteteve maqedonase. Ata vlerësojnë se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve duhet të zgjidhet çështja e kthimit të të zhvendosurve në Kosovë.

"Ministria e Punës dhe Politikës Sociale gjatë muajit të kaluar formoi grupe punuese me Republikën e Kosovës për kthimin e refugjatëve, që do të thotë se ata janë duke punuar në këtë çështje", thotë Ardian Muça.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›