E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i kosovarit në SHBA, policia: Nuk ka rrezik për sulme

Policia e Kosovës thotë se nuk ka rrezik të sulmeve të mundshme terroriste në vend. Reagimi vjen pas lajmit se edhe Kosova ishte e rrezikuar nga një sulm i tillë. Kosovari Hysen Sherifi, i arrestuar nga autoritetet amerikane bashkë me 6 persona tjerë në Karolinën e Veriut, akuzohet për terrorizëm. Policia e Kosovës konfirmon se herën e fundit Sherifi ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2008. Informatat në lidhje me veprimtarinë e këtij personi të akuzuar për terrorizëm, autoritetet kosovare ia kanë dorëzuar shtetit amerikan.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur se i arrestuari 24 vjeçar Hysen Sherifi, veç të tjerash, akuzohet se ka udhëtuar në Kosovë për t'u angazhuar në xhihadin islamik. Edhe pse grupi është akuzuar se veç Izraelit e Jordanisë, po përgatiste dhe planifikonte sulme terroriste edhe në Kosovë, autoritetet policore nuk janë të shqetësuara. Institucionet kosovare shprehen se Kosova ka një politikë të qartë në luftën kundër terrorizmit, për zbatimin e së cilës bashkëpunohet me të gjitha strukturat e sigurisë, si dhe me KFOR-in. Ngritja e plotë e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë, kompletimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës janë parë si të domosdoshme në forcimin e luftës kundër terrorizmit në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›