E Diel, 1 Nëntor 2026

Si Barack-u e si John-i

Martin Leka 

Barack Obama hyri në histori. Ai e filloi në fakt “arkivimin” e kësaj historie që me kandidimin e tij si kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të  Amerikës, duke qenë i pari njeri me ngjyrë që arrin të garojë për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Ai arriti të mposhtë pikërisht Hillari Clinton, gruan e hekurt amerikane ...Zonjën dhe Senatoren që për pak desh hyri në histori si gruaja e parë e një ish-presidenti që garon për të zënë postin që dikur mbante pikërisht bashkëshorti i saj.
Barack Obama është që nga dje, Presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mes besimit dhe mosbesimit, mes ëndrrës dhe realitetit, nocione në të cilat jo vetëm amerikanët, por e gjithë bota jetonte që prej rreth dy vjetësh kur Obama shfaqi ambicien për të marrë kreun e Shtëpisë së Bardhë, tashmë enigma u zgjidh: ëndrra është një realitet: Obama është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por, historia e Obamës sa ka filluar. Amerikanët dhe bota do të fillojnë ta përjetojnë e mësojnë përditë historinë që e filloi amerikani me origjinë nga Kenia, Barack Obama. Ndoshta sot edhe amerikanët, edhe kenianët, edhe shqiptarët, edhe…, janë ende nën efektin mahnitës të garës elektorale dhe të finales së saj, por nesër, pasnesër, përditë, do të dalin nga “dehja” dhe emocioni e do të fillojnë të shohin realitetin si është e siç do të jetë.
Sepse tashmë ata, amerikanët dhe të gjithë të tjerët, nuk do të mund vetëm të soditen me historinë, me njeriun e parë me ngjyrë në detyrën e Kreut të Shtëpisë së Bardhë. Që nesër, ky nocion merr fund dhe kjo “arkivohet” si histori e shkuar. Që nesër, Barack Obama është thjeshtë dhe vetëm Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Që nesër, Barack Obama është vetëm me “ngjyrën” e njeriut, njeriut të parë të shtetit më të fuqishëm të botës, pse jo, njeriu i parë i botës! Tek Ai dhe administrata e tij gjithkush prej amerikanëve e jo vetëm, do të mund të shohë përmes udhëheqjes së këtij njeriu të sotmen e tij e ndoshta më tepër se kaq. Që nesër do të fillojmë të shohim e krahasojmë ndryshimin: sigurinë, ekonominë, zhvillimin, paqen, qetësinë. Sepse të gjithë amerikanët, jo vetëm ata që votuan Obamën, do të dalin nga emocioni dhe do të fillojnë të përballen me jetën e përditshme, me realitetin. Atëherë ata do të duhet të shfletojnë premtimet për ndryshimin dhe do të analizojnë atë që ndodh me jetën e tyre.
Në fakt, ndryshimi ka filluar. Vetë zgjedhja e Obamës si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një ndryshim. Madje një ndryshim i madh. A nuk ju duket sot Barack Obama si një “sozi” e Martin Luther King?!... Ndoshta pikërisht këtë ditë, ndoshta pikërisht këtë njeri kishte të “skicuar” Martin Luther King në “ENDRREN” e tij të madhe.
Ajo që ka qenë impresionuese në gjithë zgjedhjet amerikane, ka qenë pikërisht finalja. E cila nuk mund të quhet e denjë pa rivalin e Obamës, John McCain. Gjithçka në fjalën e tij për mbështetësit, ku u komunikoi atyre telefonatën që sapo i kishte bërë Barack Obama-s, Presidentit të sapo zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte si një fjalë e një presidenti! “Dështova unë, jo ju”, drejtuar përkrahësve republikanë, ishte mesazhi i një njeriu të denjë për Shtëpinë e Bardhë dhe mesazhi për një Amerikë të bashkuar në përkrahje të Presidentit të ri!
***
Ditën e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përcollën edhe mjaft televizione shqiptare. Aq sa nuk ka ku shkon më hapur se sa të ishin zgjedhje shqiptare. Përmes plagjiaturave e kopjimeve, përmes profesionalizmit e ndonjëherë dhe mediokritetit, zgjedhjet amerikane u pasqyruan si s’ka më mirë. Pamë edhe këtu politikanë e politikane që diku shihnin, diku hanin, diku flisnin, diku bënin tifo si për ndonjë deputet në Kashar për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…
Të gjithëve, si për modë, u pëlqejnë si Obama, si McCain.
Por, për fat të keq, asnjë s’të bind se do të mund të bënte si ata. Si Barack-u, si McCain….

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›