Pranga gruas së dënuar për trafikimin e romëve
TIRANE - Arrestohet në shtëpinë e saj në Shkozë të Tiranës, 30-vjeçarja Zana Shoshari, e shpallur në kërkim dhe e dënuar nga Krimet e Rënda me 4 vjet burg, me akuzën e "kërkimit ose marrjes së shpërblimit për procedurat e birësimit në bashkëpunim". Burime të policisë së kryeqytetit thanë se dje rreth orës 10:00, Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, bëri të mundur arrestimin e të kërkuarës, Zana Shoshari, lindur në Devoll dhe banuese në Tiranë. Sipas policisë, ndaj 30-vjeçares, Gjykata e Krimeve të Rënda me vendim të datës 17 shtator 2009, ka dhënë dënimin me 4 vjet burg, duke e akuzuar për veprën penale "kërkim ose marrje shpërblimi për procedurat e birësimit në bashkëpunim". Arrestimi i të dënuarës është bërë në zonën e Shkozës në Tiranë, ku ajo kishte shtëpinë. Zana Shoshari është akuzuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se së bashku me Alfred Xhambazin, Ervehe Rizon dhe Dritan Sulën, kalonin ilegalisht në Greqi fëmijë romë duke i shitur më pas për shfrytëzim në shtetin helen. Hetimet e bazuara në pamje filmike dhe infiltrimin e një vajze, të quajtur Anjeza, kanë zbuluar se një fëmijë shitej për një mijë euro dhe më pas shfrytëzohej në Greqi për punë ilegale. Sipas prokurorisë, mekanizmi ishte i tillë që i pandehuri Alfred Xhambazi hynte në kontakt me familjet rome, të cilave u kërkonte t'i shisnin fëmijët duke u premtuar nga 1 deri në 4 mijë euro. Ai mashtronte duke thënë se i kërkonte fëmijët për t'i birësuar. Më pas ai merrte të miturit dhe në bashkëpunim me të akuzuarit e tjerë i trafikonte në Greqi, madje në një rast një prej fëmijëve të trafikuar ka humbur jetën.