Arrestimi i policëve serb, Daçiç: Do bëjmë gjithçka për lirimin

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot në Kralevë se katër pjesëtarët e MUP-it serb, të cilët gjenden në paraburgim në Prishtinë, janë paraqitur nga vetë serbët të cilët punojnë, ose janë funksionarë në institucionet e Kosovës.
Më tej ai theksoi se do të bëjë gjithcka që katër policët të lirohen, duke pohuar se për këtë ka biseduar edhe me ministren e punëve të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, të cilës ia ka bërë me dije se Serbia do të reagojë me reciprocitet.
“Në rastin e parë kur pjesëtarët e organeve të tyre (kosovare) të shkelin në territorin tonë do të reagojmë”, tha ai.
Por, ish pionieri i Millosheviçit, nuk është i kënaqur as me Bois Tadiç dhe kreun opozitar, Tomisllav Nikoliç, të cilët i ka akuzuar se po krijojnë një lidhje të fshehtë mes të tyre.
“Tadiç dhe Nikoliç mendojnë se mund të okupojnë tërë hapësirën politike të Serbisë, por kjo nuk është e mundshme, ndaj i paralajmëroj me qëllim të mirë se Serbia është shumë më e madhe se kapacitetet e tyre. Gjithçka më duket sikur në këtë aleancë të tyre ka njëfarë lidhje të fshehtë”, u shpreh ai.