E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i shqiptarëve për krime lufte, Halimi: Terror shtetëror për spastrim etnik. PDIU: Të ndërhyjë Brukseli

Shoqërimi i të arrestuarve në ministrinë e Brendshme (foto Tanjung)

Aksioni i policisë serbe (foto Beta)

I vetmi deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, shprehet se arrestimi i pesë shqiptarëve të dyshuar për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001, është vazhdim i terrorizmit shtetëror kundër komunitetit shqiptar.

Halimi thekson se “sjellja agresive ka nisur në dhjetor të vitit 2008 dhe ka rifilluar në korrik 2009 dhe kjo nënvizon ai është arsyeja që qindra familje shqiptare emigrojnë nga jugu i Serbisë.

Sipas Halimit, nuk është e rastësishme që një aksion i tillë ndërmerret vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Veprimi është për të fituar disa pikë politikisht, duke luajtur me fatin e vendit dhe të gjithë rajonit, thekson deputeti shqiptar.

Ai shton se ish-anëtarët e Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës nga Bujanovci dhe Medvegja nuk janë të sigurt në Serbi edhe pse në fund të konfliktit u garantua amnisti pasi ajo nuk aplikohet për të dyshuarit e krimeve të luftës.

Ky është një proces i vazhdueshëm politik me synimin për të krijuar presion tek shqiptarët. Nga 5 500 shqiptarë që kishte në Medvegjë tani kanë mbetur vetëm 600, shprehet Halimi në një prononcim për agjencinë e lajmeve BETA.

Deputeti i Parlamentit serb, shprehet se shqiptarët janë të shqetësuar nga kërcënimet e Daçiçit se arrestimet do të vijojnë.

PDIU: Serbia po vijon spastrimin etnik

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar lidhur me arrestimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me akuzën për krime lufte. PDIU duke e cilësuar këtë veprim si farsë, i bën thirrje Brukselit të ushtrojë presion mbi autoritetet serbe për ndërprerjen e aksionit dhe lirimin e të arrestuarve. Sipas PDIU-së, vala e arrestimeve synon krijimin e një trysnie ndaj popullit shqiptar që jeton në territorin e Serbisë në mënyrë që të mos kthehen të dëbuarit dhe të nxiten largime të tjera.

Kjo klimë terrori bën që shqiptarët e dëbuar të mos kthehen madje që të tjerë shqiptarë të detyrohen të largohen duke çuar në një pastrim gradual etnik të këtyre trojeve shqiptare. Ne kërkojmë nga Brukseli dhe aleatët tanë perëndimor që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit në mënyrë që të ndërpritet trysnia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe pakica shqiptare aty të gëzojë standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të minoriteteve, thekson PDIU.

Gjithashtu kjo parti e cilëson këtë veprim si shprehje e mllefit hakmarrës të Beogradit për rikonfirmimin e pafajësisë të komandantit Limaj dhe bashkëpunëtorëve të tij si dhe një taktikë elektorale në prag të zgjedhjeve.

Trashëgimtari i lidershipit të partisë së Milosheviçit, Ivica Daçiç është duke aplikuar një fushatë populiste ekstremiste që synon të rikthejë atmosferën e para një dekade për të mbledhur sa më shumë vota, thuhet në reagimin e PDIU-së. /F.S/

Serbi, pesë shqiptarë të arrestuar për krime lufte

Operacioni i arrestimit të pesë shqiptarëve (foto Beta)

Pesë shqiptarë janë arrestuar në Vranjë, në jug të Serbisë, me akuzën për krime lufte. Lajmi është bërë i ditur nga prokurori për krimet e luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviç, i cili tha se të arrestuarit dyshohen për krime gjatë konflikt në vitin 2001. Ai nuk dha më shumë detaje, pasi hetimet vazhdojnë ende.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, i cili doli në një konferencë për shtyp. Ai bëri të ditur se nga mësymja në tetë vende në komunën e Bujanoçit janë arrestuar tetë persona, pesë nga të cilët akuzohen për krime lufte ndaj civilëve. Sipas Daçiç, arrestimet e tyre nuk janë të motivuara politikisht.

Të arrestuarit që akuzohen për krime lufte janë Eljhami Salihi, Mustafa Limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurlahi. Daçiç, nuk bëri të ditur emrin, por tha se njëri prej tyre punonte si përkthyes për misionin e OSBE-së. Nëse hetimet provojnë se në të vërtet është përfshirë në krime, nuk do ta shpëtojë të qenit përkthyer i OSBE-së, tha ministri i Brendshëm. Tre persona të tjerë nga tetë të arrestuarit, janë shoqëruar për rezistencë ndaj policisë dhe një tjetër për armëmbajtje pa leje.

Konflikti i 2001

Sipas Daçiçit, Ushtria për Çlirimin e Preshevës është formuar në janar të vitit 2000 dhe deri me 31 maj 2001, ata kanë ndërmarrë 720 sulme ushtarake, ku 592 ishin ndaj policisë serbe, 73 ndaj ushtrisë dhe 55 ndaj civilëve. Në fund u vranë 18 dhe u plagosën 68 oficerë të policisë dhe ushtarë gjithashtu u vranë 16 civilë dhe u plagosën 43 të tjerë. /B92/

Përgatiti: F.S

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›