E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të modernizohet sistemi i noterisë

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shërbimi i noterëve ka një rëndësi jetime në luftën kundër korrupsionit.

"Shërbimi i noterëve ka një rëndësi jetike në luftën kundër formës më të egër të krimit të sotshëm, krimit financiar dhe pastrimit të parave", tha Berisha.

Sipas tij "lufta kundër pastrimit të parave është një luftë për sigurinë dhe është jetike për tregun e lirë". "Nuk ka rrugë më të sigurt për të parandaluar krizat ekonomike, për të shpejtuar zhvillimin dhe prosperitetin se sa përpjekja e një shteti dhe një shoqërie për garantimin e lirisë së tregut", tha Berisha.

Ai shtoi se ka një vendosmëri të madhe për të shtrirë reformat e mëtejshme në këtë sistem, teksa garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka në këtë drejtim, në mënyrë që noteria-sipas tij- të shndërrohen në njërin nga shërbimet më moderne dhe transparente në Shqipëri dhe Evropë.

 "Konstatoj me kënaqësi vullnetin tuaj për të reformuar në drejtimet më pozitive këtë shërbim jetik për shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut dhe për të ngritur në nivele më të larta kualifikimin e shërbimit", tha Berisha."Gjatë këtij viti ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë nismat ligjore për të transferuar te ju përgjegjësi që më parë ishin në Zyrat e Pasurive të Paluajtshme në mënyrë që të ofrojmë shërbimet më të shpejta për qytetarët shqiptarë. Transparenca është jetike për veprimtarinë e çdo zyrtari", tha Berisha.

Ambasadori Sequi, duke shprehur rëndësinë e shërbimit të Noterisë, tha se, "në të ardhmen, kur Shqipëria do të bëhet një anëtare e Bashkimit Evropian, angazhimi juaj do të jetë mjaft i rëndësishëm".

Ai inkurajoi modernizimin e sistemit juridik në Shqipëri. "Inkurajoj angazhimin e qeverisë, në modernizimin e sistemit juridik, për të patur një legjislativ të suksesshëm", tha ai. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, theksoi rëndësinë e reformimit të mëtejshëm të sektorit juridik në vendin tonë. 

“Ne kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë të përforcojë legjislaturën", tha Wollfarth, duke shtuar se, reformat kanë nevojë të zhvillohen edhe më tej. 310 noterë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën sot në Tiranë, për të diskutuar mbi shërbimin e Noterisë, veprimtarinë dhe sfidat e këtij shërbimi si pjesë e sistemit të drejtësisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-04 11:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›