Arrestimet e shqipatërve, PDIU: Shpifje dhe hakmarrje e Serbisë

Duke marrë shkas nga arrestimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, PDIU i ka bërë thirrje qeverisë serbe të ndalojë aksionin policor dhe të lirojë sa më shpejt shqiptarët e arrestuar. Në një deklaratë për shtyp PDIU thekson se e gjithë kjo është është një hakmarrje ndaj pafajësisë së Limaj dhe një taktikë elektorale e Serbisë.
“PDIU shpreh indinjatën e thellë për fushatën e fundit të arrestimeve të ndërmarrë prej qeverisë serbe në Luginën e Preshevës dhe bën thirrje që ky aktivitet masiv policor të ndërpritet dhe të arrestuarit të lirohen sa më parë. Arrestimet e kryera ditëve të fundit në komunën e Bujanovcit nën akuzan për krime lufte janë qartazi një shprehje e mllefit hakmarrës të Beogradit për rikonfirmimin e pafajsisë të komandantit Limaj dhe bashkëpunëtorëve të tij si dhe një taktikë elektorale në prag të zgjedhjeve. Me anën e kësaj manovrepolicore brutale në Luginën e Preshevës si dhe nxitjes së dhunës në veri të Kosovës trashëgimtari i lidershipit të partisë së Milosheviçit, Zoti Ivica Daçiç është duke aplikuar një fushatë populiste ekstremiste që synon të rikthejë atmosferën e para një dekade për të mbledhur sa më shumë vota”-thuhet në deklaratë.
Duke shprehur besimin se i gjithë ky skenar është një farsë nga pala serbe dhe një përsëritje e historisë për të realizuar nënshtrimin e popullsisë shqiptare brenda këtij territori, PDIU i bën thirrje Brukselit zyrtar të rrisë presionin ndaj Beogradit, në mënyrë që shqiptarëve tu krijohen hapësirat e duhura në përputhje dhe me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe ato të minoriteteve.
“Shprehim bindjen tonë që këto arrestime janë një farsë e bazuara në politika shoviniste të së kaluarës dhe nuk janë ndërmarrë në interes të vënies së drejtësisë e dëshmon fakti që procesi gjyqësor për ish ushtarët e UCK-së që bënin pjesë në të ashtuquajturin "Grupi i Gjilanit` ka dështuar tërësisht. Provat dhe denoncimet e bëra për ish-ushtarët e arrestuar në vitin 2008 dolën të dështuara dhe pa argumentuara para gjykatës serbe duke bërë që çështja të çohet në rigjykim. PDIU beson se kjo valë arrestimesh në Luginën e Preshevës është një ripërsëritje e rastit të mësipërm dhe synon që ta mbaj të gjallë trysninë ndaj popullit shqiptar që jeton në këtë tërritor. Kjo klimë terrori bën që shqiptarët e dëbuar të mos kthehen madje që të tjerë shqiptarë të detyrohen të largohen duke çuar në një pastrim gradual etnik të këtyre trojeve shqiptare. Ne kërkojmë nga Brukseli dhe aleatët tanë perëndimor që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit në mënyrë që të ndërpritet trysnia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe pakica shqiptare aty të gëzojë standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të minoriteteve” përfundon deklarata.