E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i spiunëve, ministri serb: S’kemi njerëz në Kosovë

 

Serbia ka reaguar kundër deklaratave nga Kosova, se dy nga të arrestuarit për dëshmi të rreme mbi trafikuan e organeve nga ushtarët e UÇK-së janë pjesëtarë të shërbimeve sekrete serbe.   Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se dy të arrestuarit nga Policia e Kosovës në Çagllavicë, në afërsi të Prishtinës nuk i takojnë shërbimit sekret serb, BIA. “Nuk është absolutisht e vërtetë se të arrestuarit janë anëtarë të strukturave tona të sigurimit. Që nga viti 1999, bazuar në Marrëveshjen e Kumanovës, as Ministria e Brendshme, as agjencitë e sigurimit dhe ato ushtarake, nuk kanë asnjë anëtar të vetëm në Kosovë dhe Metohije”, ka thënë Daçiç, për mediat e Beogradit. Dy shtetas të Serbisë dhe një shtetas i Kosovës, të tre të nacionalitetit serb, u arrestuan të enjten nga Policia e Kosovës, pasi janë kapur në flagrancë në përpjekje për të bindur një person të dëshmojë duke mashtruar për “krimet” e UÇK-së. Të tre ata tani akuzohen se u kanë premtuar edhe personave të tjerë shpërblime deri në 100 mijë euro që të kryejnë dëshmi të rreme kundër UÇK-së, se gjoja kanë qenë viktima të transplantimit të organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ata janë Igor Juçinaç, shtetas i Kosovës, 33 vjeç, Milutin Radanoviç, shtetas i Serbisë, 52 vjeç, dhe Predrag Zheljkoviç, shtetas i Serbisë, 33 vjeç. Sipas gazetës kosovare “Express”, burime të policisë tregojnë se faktet për përfshirjen e tyre në vepra penale janë të dokumentuara me incizime, fotografi dhe prova të tjera. Po nga këto prova është vërtetuar se ata janë pjesëtarë të Shërbimit Inteligjent të Serbisë, BIA. Ndërkohë ministri serb e konsideron këtë arrestim, politik. “Kjo ka të bëjë me një fushatë të motivuar politikisht, që është menduar të jetë ‘rivale’ me atë që është folur shumë herë, jo vetëm nga Prokuroria serbe e krimeve të luftës, por edhe ajo e EULEX-it, dhe ka qenë i përmendur edhe në Hagë: trafikimi i qenieve njerëzore të marra nga organet e serbëve”, tha Daçiç duke mohuar gjithashtu se Policia e Kosovës e kishte njoftuar ministrinë serbe rreth këtij rasti, pasi “policia serbe nuk mban kontakte me policinë në Kosovë”.Edhe zëdhënësi i Prokurorisë për krime të luftës në Beograd, Bruno Vekariç, tha se arrestimi i tre serbëve është “një përpjekje për të diskredituar hetimin e trafikimit të organeve të njerëzve të marra nga serbët në Kosovë gjatë luftës”. Sipas “Express”, ndërsa arrestimi i tre spiunëve të BND-së gjermane rezultoi më shumë një incident, arrestimi i tre spiunëve të BIA-s është bërë duke u bazuar në fakte të forta dhe konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›