E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josip Kuzhe: Gruaja më solli në Shqipëri

 

“Ndihem kaq mirë në Shqipëri, sa nuk do të doja të ikja kurrë prej vendit tuaj. Vetëm po të më përzënë e braktis Shqipërinë. Jam duke e shijuar plotësisht jetën si ‘shqiptar’ këtu, më bukur se askund tjetër”. Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, kroati 56-vjeçar Josip Kuzhe, ndihet në “qiellin e shtatë” pas eksperiencës së tij të parë me Shqipërinë, ku brenda 15 ditëve të tij “shqiptare”, përfaqësuesja kuqezi zhvilloi dy ndeshje ndërkombëtare (me Portugalinë e Gjeorgjinë). Por këtë herë Kuzhe zbulon anën tjetër të tij, ushqimin, librat dhe familjen. “Në këtë moshë që jam, nuk para magjepsem shumë para ushqimeve. Kam bredhur shumë, njoh disa lloj kuzhinash. Ha gjithçka. Përsa i përket ushqimit shqiptar, është pak vështirë ta them, pasi nuk e di se cili është ushqimi tipik. Më thanë vetëm që në traditë është mishi, por sesi është i gatuar, ende nuk e mësova. Më pëlqen të lexoj gjithfarë librash. Kam shumë autorë të preferuar kroatë e ndërkombëtarë, pohon Kuzhe. Më tej trajneri zbulon edhe anë të tjera të karakterit të tij, si filmat, teatrin dhe familjen. “I pëlqej filmat, por nuk është se u kushtoj shumë kohë. Gjithsesi, shikoj me kënaqësi filmat ‘thriller’ dhe ata me aksion. Ndërsa shumë vite me parë, isha thuajse i abonuar me teatrin. Ndërsa fjala e parë që mësova në shqip ishte ‘sukses’, një fjalë që ekziston në fakt, në shumë gjuhë të botës. Ma kanë thënë pafundësisht këtë fjalë, kudo, në hotel, stadium. Dëgjoni, unë jam i çmendur pas gjuhëve të huaja. Kam metodologjinë time për t’i mësuar ato. Kam pak ditë në Shqipëri, por me të vërtetë di më shumë se 50 fjalë shqip. Mund të bëj gabime në të folur, por kështu mësojnë të gjithë”, ka vazhduar tekniku. Në fund Kuzhe ka treguar edhe tratativat me federatën dhe ardhjen e tij në Shqipëri. “Shikoni, gratë mbeten gjithmonë të njëjta, kudo në botë. Ndërkohë që unë kisha pranuar parimisht punën, ajo mblidhte informacione në internet për Shqipërinë. Tani ajo përkthen lajme me ndihmën e internetit, ku flitet për mua apo për futbollin shqiptar, dhe m’i thotë vazhdimisht në telefon apo m’i dërgon me e-mail. Tani vetëm Shqipëria është në mendjen e saj. Ka dëshirë të jetojë këtu dhe më thotë do të vizitojmë muze, restorante, do të udhëtojmë në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ajo është një grua e mrekullueshme dhe një koleksionuese e madhe, fotosh apo objektesh tipike lokale”, ka përfunduar Kuzhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›