E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i trafikantit, Prokuroria po heton për bashkëpunëtorët



Arrestimi në flagrancë i shtetasit Lime Harizaj, me mbi 2 kilogramë bimë narkotike, duket se do të pasohet edhe nga të tjera arrestime. Kjo pasi prokurorët e çështjes po hetojnë mundësinë që në tregtinë e narkotikëve të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë bashkëpunëtorë në trafik të 40-vjeçarit Harizaj. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila ka administruar aktet procedurale për këtë çështje, bën të ditur se grupi hetimor po punon për zbulimin e origjinës së bimës narkotike si dhe personin nga është marrë kjo sasi droge. Sipas këtyre burimeve, mendohet se bima narkotike është sjellë për t'u tregtuar në Tiranë nga një zonë në jug të vendit. Gjithashtu bëhet e ditur se dje të arrestuarit Harizaj i është bërë e ditur në dhomat e paraburgimit akuza për shpërndarje të narkotikëve. Gjatë marrjes në pyetje i arrestuari nuk ka dhënë shumë shpjegime për mënyrën se si kishte administruar sasinë e drogës së bllokuar. 40-vjeçari Harizaj u kap në kushtet e flagrancës me mbi 2 kilogramë Cannabis sativa në banesën e tij në Tiranë. Ndërkohë që nesër ai pritet të dalë para gjykatës, ku dhe do të njihet me masën e sigurisë.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›