E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e dyfishtë, Prokuroria mbyll dosjen



Prokuroria e rrethit Tiranë do të pushojë hetimet mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi në fund të muajit korrik në Tiranë, kur një burrë vrau me armë zjarri gruan me të cilën bashkëjetonte dhe më pas veten për shkak të konflikteve mes tyre. Burime nga Prokuroria e kryeqytetit bënë të ditur se grupi hetimor ka realizuar të gjitha procedurat hetimore, duke dokumentuar ligjërisht me fakte, prova dhe dëshmi vrasjen e dyfishtë në zonën e Porcelanit. Por duke qenë se personi i dyshuar për vrasjen, ka vdekur në këtë ngjarje, sipas Kodit Penal, tashmë dosja do të quhet përfundimisht e mbyllur. Sipas të dhënave hetimore, pasditen e 31 korrikut në zonën e Porcelanit shtetasi Hazir Sallahi, 47 vjeç punonjës pranë shërbimit të ruajtjes së objekteve qëlloi me pistoletën e punës katër herë mbi të dashurën e tij Anila Laze, 34 vjeçe, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme dhe më pas me të njëjtën armë vrau veten. Nga të njëjtat burime mësohet se në fashikullin e kësaj dosjeje tashmë janë arkivuar raporti i ekspertimit të vendit të ngjarjes, të armës, konkluzionet e autopsisë, deklarimet e dëshmitarëve okularë etj. Përsa u takon motiveve, prokuroria konkludoi se ngjarja ka për shkak mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes çiftit në prag të dhënies fund të lidhjes se tyre pas disa vjetësh bashkëjetese.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›