Raporti, në Shqipëri 10 për qind e familjeve shpenzojnë 3 herë më shumë se të tjerat
Rreth 77 për qind e konsumit total të popullatës konsumohet nga rreth 90 për qind e familjeve shqiptare, me një vlerë mesatare prej 60 mijë lekë në muaj. Ndërsa vetëm 10 për qind e familjeve në Shqipëri, shpenzon rreth 23 për qind të totalit duke konsumuar rreth 153 mijë lekë në muaj për familje, ka përcaktuar në një analizë për buxhetin e familjes për vitet 2006-2007 INSTAT-i. Sipas kësaj analize, rezultatet e konsumit mujor mesatar për frymë, tregojnë për një disnivel në Shqipëri, ku shumica e popullsisë që korrespondon me 90 për qind të familjeve, shpenzon rreth 16 mijë lekë në muaj, ndërsa një pjesë mjaft e vogël që korrespondon me 10 për qind të familjeve, shpenzon rreth 52 mijë lekë në muaj ose 3 herë më shumë. Por edhe niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes familjare, të cilët ndikojnë në mënyrën e alokimit të buxhetit te disponueshëm. Kështu, familjet e përbëra nga një person i vetëm dhe çiftet pa fëmijë, shpenzojnë më shumë për ushqim, veshje, transport, etj, krahasuar me tipet e tjera të familjeve. Ndërsa familjet me një person të vetëm dhe çiftet pa fëmijë shpenzojnë më shumë se tipet e tjera të familjeve për kujdesin shëndetësor dhe për banesën. Tirana paraqet konsumin më të lartë në vlerë, krahasuar me të gjitha prefekturat e tjera, një familje e kryeqytetit shpenzon mesatarisht në muaj 83,800 lekë. Ndryshime vihen re në konsumin e shpenzimeve sipas grupimeve të ndryshme, midis fshatit dhe qytetit. Kështu, kuota më e lartë e buxhetit total të familjeve, shpenzohet për ushqimet, që arrijnë në 49.5 për qind në zonën rurale, kundrejt 45.8 për qind në zonën urbane.
22 Gusht 2008