Vodhën motorin, vihen në pranga
Forcat e Komisariatit të Policisë Nr. 5 në Tiranë arrestuan në flagrancë dy shtetas, pasi dyshohet se janë autorët e grabitjes në fshehtësi të një motori në zonën e Laprakës, një javë më parë. Të arrestuarit janë Albert Nuri Demiraj, 23 vjeç, banues në Babrru, i dënuar më parë për vjedhje, si dhe 24-vjeçari Marjan Llesh Prendi, lindur në Mirditë dhe banues në Babrru, i dënuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Arrestimi i personave të sipërpërmendur u bë pasi ata dyshohet të jenë autorë të vjedhjes së një motori tip “Jamaha”. Materialet në ngarkim të tyre iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
Arrestohet kanosësi me armë zjarri
Kanos me armë një shtetas, arrestohet nga uniformat blu. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë vunë dje në pranga 25-vjeçarin Edison Kadri Shkurti, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i 25-vjeçarit ndodhi pasi gjatë ditës së djeshme ai mësohet që të ketë kanosur me armë, për motive të dobëta, shtetasin Musa Ramazan Murati, 44 vjeç, banues në Krujë.
Forcat e policisë kryen në vendngjarje veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë tip “Kallashnikov”, të cilën i arrestuari e posedonte pa leje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, parashikuar nga nenet 84 dhe 278/2 të Kodit Penal.
22 Gusht 2008