E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të miturit, shtohen rastet e vjedhjeve dhe të grabitjeve



Hajdutët e mitur kthehen në tmerrin e pushuesve. Duke përfituar nga mosha e vogël si dhe nga fluksi i pushuesve, të miturit duket se po bëjnë kërdinë në zonat bregdetare. Gjashtë persona nën moshë janë arrestuar dje në qytete të ndryshme të vendit nga forcat e policisë, pasi dyshohen të jenë autorë të disa vjedhjeve dhe grabitjeve. Kështu, në Tiranë, nga agjentët e Seksionit Kundër Vjedhjeve ka ndodhur arrestimi i dy personave të mitur, përkatësisht M. C., 11 vjeç dhe A. F., 15 vjeç, banorë në kryeqytet. Të dy personat e sipërpërmendur kanë rezultuar autorë të grabitjes së një banese në Malin e Robit, në rrethin e Kavajës. Ndërsa 15-vjeçari A. F. ndodhet i arrestuar në Sarandë për disa vjedhje të kryera atje, 11-vjeçari M. C. po ndiqet në gjendje të lirë për shkak të moshës. Agjentët e Seksionit Kundër Vjedhjes në Policinë e Tiranës bënë të ditur se kanë arritur të dokumentojnë dhe të kapin autorin e grabitjes së një qendre interneti në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur më 10 gusht dhe autori i dyshuar i kësaj vjedhjeje rezulton të jetë 16-vjeçari me iniciale E. H. Arrestimi i tij ndodhi në qytetin e Shkodrës, pas një bashkëpunimi të Policisë së Tiranës me Policinë shkodrane. Seksioni i të miturve në Prokurorinë e Tiranës ka marrë në dorëzim materialet hetimore në ngarkim të këtyre adoleshentëve për veprën penale të “vjedhjes”.
Por dy rastet e mësipërme të vjedhjes nga të mitur dhe të arrestimit të tyre nuk kanë qenë të vetmet. Po dje, specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë mundësuan arrestimin në flagrancë të tre shtetasve të mitur, të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprën penale të vjedhjes. Të arrestuarit janë 14-vjeçari me iniciale K. XH., lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë; 15-vjeçari me iniciale M. M., lindur në Kukës dhe banues në Tiranë; si dhe 15-vjeçari me inicialet G. L., lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse dy ditë më parë, rreth orës 21:00, në rrugën “Todi Shkurti” në Tiranë, në bashkëpunim me njëri - tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur në banesën e një shtetasi. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134 dhe 25 i Kodit Penal.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›