Arrestohen 15 protestuesit, forcat e rendit, masa për fillimin e punës në Kakome
SARANDË – Në fillim të vitit policia ka vendosur të prangosë protestuesit në Kakome, duke i krijuar mundësinë firmës së ndërtimit për të realizuar fshatin turistik. Burimet zyrtare pohojnë se është organizuar një operacion “blic”, i koordinuar mes policive të Sarandës dhe Vlorës, si dhe forcave speciale të ardhura nga Tirana, të cilët kanë ndërhyrë me shpejtësi për të liruar rrugën në kryqëzimin e Kakomesë. Operacioni i largoi banorët e “ngujuar”, të cilët prej më shumë se një muaj kishin ngritur postbllok për të mos lejuar firmën “Riviera” të niste punimet për ndërtimin e fshatit turistik në gjirin e Kakomesë. Fshatarët e Nivicës, që pretendojnë se tokat në të cilat është projektuar për t’u ndërtuar fshati turistik, kanë refuzuar të nënshkruajnë marrëveshjet me firmën ndërtuese. Të “ngujuarit” qëndruan nëpër çadra dhe kioska të ngritura provizorisht gjatë gjithë këtyre ditëve të acarit dhe të ftohtit, duke mos lejuar rifillimin e punës në zonën bregdetare. Aty ata kaluan festën e Çlirimit, të Pavarësisë, Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri 2009. Kjo zgjati deri ditën e djeshme. Ndërhyrja e policisë i prishi kasollet prej plastmasi dhe i detyroi banorët që të riktheheshin pranë banesave të tyre. Policia ishte e përgatitur me skafandra e shkopinj gome, por nuk lindi nevoja për t’i përdorur, pasi 15 prej protestuesve u shoqëruan në komisariat. Mes tyre ishte edhe kryeplaku Klement Baxheri, ndërsa të tjerët u shpërndanë nëpër shtëpi pa rezistencë. Lista e të shoqëruarve deri në mesditën e së premtes është kryesisht me emra të rinjsh, si Kiço Cari, Ivan Cari, Thoma Cari, Sevo Papadhima, Klement Papadhima, Gaqo Strati, Mentor Spiri, Stefan Papagjika, Ermal Papagjika, Ermir Gjoni, Odise Dukshi, Lulëzim Tabaku, Dhimo Gjoni, Andi Foti dhe Oltin Papagjika. Në operacionin policor, ku morën pjesë 30 efektivat e komisariateve të Vlorës dhe Sarandës, binte në sy prania e autoblindave dhe ambulancave me targa policie, gjë që flet për vendosmërinë e përmbushjes së objektivit nga policia. Sapo u zhvendosen protestuesit nisi puna për ngritjen e kantierit të ndërtimit. Kakomeja është si në shtetrrethim. Postblloqet e policisë janë vendosur në të dyja anët e kthesës së Kakomesë, në hyrje dhe dalje, në distancën prej rreth 1 km në çdo anë. Në bazë të vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nivicionët nuk kanë toka në pronësi. Ndërsa këta banorë pretendojnë të kundërtën. Leja e ndërtimit për firmën franceze “Club Med” është dhënë në vitin 2002, ajo ka nënkontraktuar firmën shqiptare “Riviera” për kryerjen e punimeve. Që nga ajo periudhë dhe deri tani nuk ka gjetur zgjidhje as konflikti i vendasve me shtetin dhe as me firmën shqiptare që po merren me realizimin e këtij projekti.
TË NDALUARIT
Kiço Cari
Ivan Cari
Thoma Cari
Sevo Papadhima
Klement Papadhima
Gaqo Strati
Mentor Spiri
Stefan Papagjika
Ermal Papagjika
Ermir Gjoni
Odise Dukshi
Lulëzim Tabaku
Dhimo Gjoni
Andi Foti
Oltin Papagjika
10 Janar 2009