Prishen ndërtimet pa leje në Plazh dhe te Vollga për projektet e reja
DURRËS – Projektet publike që pritet të realizohen në qytetin e Durrësit janë bërë shkas që të listohen për prishje një sërë objektesh pa leje të ndërtuara në zonën e Plazhit dhe sheshin “Taulanti”, përgjatë bregut. Burimet zyrtare pranë Bashkisë së Durrësit bëjnë të ditur se për 2009 Bashkia do të vazhdojë investimet në infrastrukturë, të cilat zënë 50% të buxhetit. Sapo ka nisur ky vit Bashkia ka filluar punën për rikonstruksionin e disa rrugëve të reja, që kanë qenë deri tani problematike për qytetarët durrsakë. Por, për të kryer këto investime të rëndësishme, është dashur edhe ndërhyrja e Policisë Ndërtimore të Durrësit, në mënyrë që të bëhet lirimi i këtyre rrugëve nga ndërtimet pa leje, që pengojnë realizimin e punimeve.
Ndërtimorët
Aksioni i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Durrësit, i mbështetur edhe nga Policia Bashkiake, ka filluar me lirimin e hapësirave publike në zonën e nënstacionit në Shkozet dhe deri te rruga në Plazh. Sipas zëdhënësit Dorian Agolli, janë prishur kryesisht gardhe apo objekte të tjera që kishin ngushtuar rrugën dhe nuk lejonin të kryhej investimi. Ky aksion do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, brenda qytetit të Durrësit deri në Shkozet. Rruga te nënstacioni në Shkozet është 470 metra e gjatë, ndërsa segmenti te “Korali” është 200 metra i gjatë. Investimi i Bashkisë së Durrësit për rikonstruksionin e këtyre dy rrugëve së bashku është 22 180 372 lekë të rinj dhe përfshin; përveç asfaltimit, edhe infrastrukturën nëntokësore, ndriçimin, sistemimin dhe gjelbërimin.
Zëdhënësi Agolli pohon se edhe në sheshin “Taulanti”, përgjatë bregut të detit, deri më datën 20 janar do të zhvendosen të gjitha objektet që ndodhen aty. Tashmë është në fazën finale projekti për përzgjedhjen e studios fituese, pasi janë kualifikuar pesë kompani të huaja. Studimet e propozuara janë diskutuar me grupet e interesit në komunitet dhe deri në fund të këtij muaji do të shpallet fituesi. Për të vijuar punën do të zhvendosen të gjitha kioskat, lojërat e fatit apo lokalet që ndodhen në këtë zonë dhe t’i hapet rruga zbatimit të projektit fitues.
Projektet
“Bashkia e Durrësit, gjatë vitit 2008 ka përfunduar rikonstruksionin e disa rrugëve dhe kuartalleve në qytet. Gjashtë investime të rëndësishme janë mbyllur në 2008-n dhe kanë filluar 7 të tjera që do të përfundojnë brenda këtij viti”, - thotë zëdhënësi Agolli. Sipas tij, në fund të muajit nëntor është përfunduar rikonstruksioni i rrugës "N. Kazanxhiu" dhe "Drita", rruga "Vila" dhe ajo "Bashkimi", ndërsa është mbyllur investimi edhe për kuartallet në Lagjen Nr. 18 dhe te "30-vjetori".
PROJEKTET E NISURA
Rruga Tankeve, 23.053.456 lekë
Rruga "Agimi"
Rruga në Lagjet Nr. 1 dhe Nr. 2
Rruga "Amal Asunta"
Rruga "Çajupi"
(Të gjitha së bashku këto rrugë do të kushtojnë rreth 26 650 000 lekë)
Rruga te nënstacioni në Shkozet
Rruga te “Korali” në Plazh
(Të dyja këto rrugë kushtojnë së bashku 22 180 372 lekë)
10 Janar 2009