Rrëfimi te Krimet e Rënda: “Djalin ma vrau Dondollaku dhe Boriçi"
Laureta Rryçi
Tiranë - Personazhet e bandës së Lushnjës u kryqëzuan dje nga një tjetër dëshmi e familjarëve të viktimave. Në seancën e radhës ka qenë dëshmitari nga Lushnja që ka rrëfyer para kolegjit penal ekzekutimin e të birit vetëm se shoqërohej me palën kundërshtare të bandës. Pavarësisht se kafazi ishte bosh, i moshuari Ramazan Zeneli ka akuzuar për vrasjen e të birit nga banda e Aldo Bares krahun e djathtë të tij, Enver Dondollakun, që ndodhet në Itali, si dhe Arben Boriçin, i cili ka preferuar të përfaqësohet nga avokati mbrojtës në seancën e radhës. Përkundër mjaft dëshmive ku dëshmitarët nuk mbajnë mend se çfarë ka ndodhur me viktimat e bandës së Aldo Bares, në Lushnjë kanë mbetur vetëm familjarët e tyre ata që përmendin para togave të zeza emrat e autorëve të krimit. Në një kohë që dy të akuzuarit kryesore, Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, gjenden të arrestuar jashtë vendit, një pjesë e bandës ndodhet në gjykim për një sërë vrasjesh dhe masakrash në qytetin e Lushnjës.
Dëshmia
I moshuari gjatë seancës shfaqi dobësi fizike dhe për këtë gjykata kërkoi të dëshmonte ulur. Ai shpjegoi për trupin gjykues se i biri nuk kishte pasur asnjë konflikt me anëtarët e bandës. Ditën që është ekzekutuar në Kolonjë të Lushnjës, ai duket se ka qenë në shoqërinë e palës kundërshtare të anëtarëve të bandës.
Edhe pse kjo dëshmi kishte fakte konkrete për një nga vrasjet që akuzohen të pandehurit si anëtarë të bandës së qytetit të Lushnjës, sërish prokurori ka thënë se për vrasjen e Nimet Zenelit dëshmi kyçe konsiderohet ajo e Gramoz Selmanit, i vetmi dëshmitar okular i mbetur gjallë. Për prokurorinë, Nimet Zeneli u vra me armë zjarri më 13 shkurt të vitit 1998, vetëm pse ndodhej nën shoqërinë e kundërshtarëve të bandës, gjë që e theksoi në dëshmi edhe i ati i tij. Deri tani kanë dëshmuar rreth 40 persona, 80 të tjerë janë ende në listë për të dalë para gjykatës pikërisht me cilësinë e dëshmitarit.
Dosja
Organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka sjellë prova të pakontestueshme për vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliut, Idajet Beqirit, Luan Bilbilit, Xhevdet Demirit, vrasje që kanë ndodhur gjatë viteve 1997-1998. Më 13 shkurt të vitit 1998 u ekzekutua Nimet Zeneli, vetëm 9 ditë më vonë u ekzekutuan Mazar Aliu dhe Idajet Beqiri. Këto vrasje u shoqëruan me atë të Luan Bilbilit më 18 gusht 1988. Të pandehurit e bandës së Lushnjës, Enver Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Rexhep Gina, Eduard Demiri, Agur Musaka, janë të proceduar nga prokuroria. Njëri prej të pandehurve, Agur Musaka, i cili është shpallur në kërkim, do të gjykohet nga drejtësia shqiptare në mungesë. Agur Musaka është njëri prej anëtarëve të fundit të përfshirë në bandën e Lushnjës. Musaka akuzohet për veprën penale të shkatërrimit të pronës në emër të bandës.
Banda e Lushnjës
Alfred Shkurti, (Aldo Bare), i arrestuar
Arben Boriçi, i arrestuar
Enver Boriçi, i arrestuar
Ilir Stergu, i arrestuar
Afrim Hoxha, i arrestuar
Erion Cici, i dënuar
Enver Dondollaku, i arrestuar
Agur Musaku, në kërkim
Rexhep Gina, i arrestuar
Dritan Vila, i dënuar
Maksim Çela, i dënuar
Gjykata lë në burg bashkëshortin që akuzohet për vdekjen e gruas
Tiranë - Gjykata la dje në fuqi kërkesën e prokurorisë për ta rikthyer të arrestuarin sërish në qeli. 44-vjeçari i arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, si autor i dyshuar në shkaktimin e vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, do të mbahet në paraburgim deri në përfundim të hetimit të hapur ndaj tij nga Prokuroria. Gjykata e Shkallës së Parë, me kërkesë të organit të akuzës, caktoi dje masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj Besnik Hasës, 44 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore, Tiranë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, 44-vjeçari dyshohet se është shkaktar për vetëvrasjen e gruas së tij, Elisabeta Hasa, 27 vjeç, e cila vari veten me një shall në dritaren e banesës së saj. Shkak për këtë ngjarje të rëndë mendohet se është bërë keqtrajtimi i 27-vjeçares nga bashkëshorti i saj.
10 Janar 2009