Pediatria, 2-3 fëmijë në një shtrat
Spitali i Pediatrisë në qendrën universitare “Nënë Tereza” është mbipopulluar nga pacientët e vegjël, të cilët janë prekur nga virozat stinore. Përveç kësaj, spitali nuk ofron të gjitha kapacitetet për të përballuar fluksin e të sëmurëve dhe mjekët janë detyruar që t’i shtrojnë të vegjlit nga 2-3 në një shtrat. Situata paraqitet tepër alarmante, pasi është e pamundur që të ofrohet një shërbim i menjëhershëm dhe i kujdesshëm në momentin që mungojnë dhe gjërat më elementare, duke i shtuar kësaj edhe mungesat që ka në disa medikamente apo shërbime. Nga Drejtoria e QSUT-së nuk është rekomanduar ende një zgjidhje. Ata që janë më të shqetësuar janë prindërit, të cilët shprehen të irrituar se mjekët nuk po kryejnë punën e tyre, duke i lënë të vegjlit në mëshirë të fatit. Ndërsa të tjerë presin të ulur në korridore me fëmijët në krahë që mjekët t’u gjejnë një vend për fëmijët e sëmurë.
Pavijonet
Kjo situatë nuk është vetëm për Pediatrinë, por mjaft pavijone të tjera vuajnë nga dyndja e pacientëve të sëmurë dhe mungesa e shtretërve. Urgjenca e Kardiologjisë është mbipopulluar nga pacientët që janë shtuar së tepërmi ditët e fundit, po kështu edhe Pavijoni i Nefrologjisë si dhe mjaft të tjerë. Shkak për këtë situatë janë bërë virozat e stinës, si pasojë e uljes së temperaturave. Dhomat e shtrimit në këto pavijone janë tejmbushur me pacientë dhe mjekët ankohen se nuk kanë ku t’i vendosin, pasi në çdo orë vijnë të tjerë. Drejtoria e QSUT-së ka dhënë urdhër që një numër pacientësh të shtrohen edhe në pavijonet e tjera, të 6-katëshit, pasi kapacitetet nuk janë të mjaftueshme.
Numri
Moti i ftohtë ka bërë që situata në spitale të jetë alarmante për shkak të shtimit të numrit të të prekurve. Temperaturat e ulëta kanë ndikuar ndjeshëm në përhapjen e virozave të ndryshme në radhët e popullatës, ku ditët e fundit bëhet fjalë për fluks pacientësh. Numri i tyre ka arritur deri në 200 pacientë në ditë, kryesisht fëmijë që janë paraqitur në ditët e fundit, por nuk përjashtohen dhe të moshuarit. Dyndje të madhe ka pasur në dyert e urgjencave dhe kryesisht në atë të Spitalit të Pediatrisë në QSUT. Mjekët rekomandojnë që fëmijët dhe të moshuarit të mos ekspozohen ndaj të ftohtit, sidomos në orët e pasdites. Specialistët thonë se kemi të bëjmë me disa lloje virozash, të cilat qarkullojnë te të prekurit. Sinoptikanët flasin se temperaturat do të vijnë duke u ulur. Simptomat e virozës së fëmijëve janë: gjendje gripale, ftohje apo temperaturë e lartë. Sipas mjekëve, një situatë e tillë është e zakonshme në këtë periudhë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës së ftohtë të dimrit. Megjithëse ISHP-ja ka bërë të ditur shtimin e numrit të fëmijëve që kanë marrë vaksinën antigrip, duket se parandalimi i gripit është bërë i pamundur. Përsa i përket vaksinës antigrip, mjekët thonë se ajo tani nuk jep asnjë efekt, pasi periudha e saj ka qenë në muajt tetor-nëntor. Mjekët këshillojnë që prindërit të mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm fëmijët dhe, nëse shohin gjendje të rënduar, të drejtohen menjëherë në qendrat shëndetësore. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i motit, si dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave, stimulojnë edhe më shumë shfaqjen e virozave të stinës.
10 Janar 2009