Moti i ftohtë, pesë burgje pa sistem ngrohjeje
Laureta Rryçi
Tiranë - Moti i ftohtë gjatë këtyre ditëve ka vënë në alarm edhe drejtuesit e burgjeve në vend. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, mësohet se ka nxjerrë për situatën një urdhër të posaçëm për masat që duhen marrë në 20 institucionet e riedukimit në vend, qofshin këto burgje apo paraburgime. Zëdhënësja për shtyp e kësaj drejtorie, Blerina Gjerazi, shpjegoi dje për gazetën “Albania” se me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm në të gjitha institucionet është shtuar sasia e karburantit që do të shërbejë vetëm për ngrohje. Gjithashtu është rritur numri i orëve të ngrohjes me kaldaja. Sipas saj, në pesë burgje të vendit mungon sistemi i ngrohjes dhe për këtë arsye janë gjetur alternativa të tjera për t’u siguruar të burgosurve ngrohjen e nevojshme brenda normave ligjore.
Masat
Sipas kërkesave të institucioneve është udhëzuar që gjatë këtyre ditëve të limitohen sa më shumë lëvizjet apo shërbimet që ndikojnë në shpenzimin e karburantit në mënyrë që të mos kushtëzohet ndezja e kaldajave. Pothuajse në të gjitha institucionet e vendit ka sistem ngrohjeje. Nga 20 institucione që janë në total, sistemi i ngrohjes mungon vetëm në 5 institucione. Për institucionet që mungon sistemi i ngrohjes është hartuar detyra e projektimit dhe brenda vitit 2009 do të pajisen me këtë sistem. Ndërkohë, ngrohja në këto institucione sigurohet me pajisje të ndryshme që shërbejnë për ngrohje.
Burgjet
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tashmë ka hartuar kontratat për projektimet, ku janë hartuar projektet e zbatimit për objektet e mëposhtme: ngrohje qendrore e Burgut Peqin; ngrohje qendrore e Burgut Lezhë; rikonstruksion i Burgut Zaharia, Krujë;
rikonstruksion i Burgut 325;
rrjeti inxhinierik i Burgut Kavajë; linja elektrike e Burgut Lezhë. Këto investime priten të realizohen gjatë vitit 2009. Po gjatë këtij viti pritet të përfundojë edhe Institucioni i të Miturve në Kavajë. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po ndiqen rigorozisht të gjitha punimet e këtij institucioni si dhe po përgatiten procedurat e nevojshme ligjore për rekrutimin e një stafi profesional që do të punojë me këtë kategori të dënuarish.
10 Janar 2009