Nefrologu Thereska: “Ja pikat e dobëta të skemës së sigurimeve”
Emanuela Sako
Reforma në spitale dhe shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore ka dhe pikat e dobëta të saj. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Thereska, sqaroi se cilat janë disa nga mangësitë e reformës, të cilat duhet të kryhen. Sipas tij, reforma duhet të fillojë me përgatitjen e një regjistri me të gjitha të dhënat për pacientët, ku të jetë detajuar numri dhe sëmundjet e secilit. Spitalet tona aktualisht nuk kanë një numër të saktë të pacientëve që kurojnë. Ai vë theksin se reforma duhet të parashikojë edhe rritjen e pagave të mjekëve, pasi kjo është një ndër kërkesat kryesore të mjekëve. Përsa u përket shërbimeve që duhet t’u ofrohen pacientëve dhe a duhet të jenë falas, Thereska shprehet se ato duhet t’i përfitojnë ata që paguajnë sigurime. Në bazë të reformës së re, për pacientët pritet të ketë shërbime më të lira, ndërkohë që për spitalet do të ketë autonomi në menaxhimin e fondeve. Shërbimi i Nefrologjisë është një nga të shumtit që do të futet në skemën e re të ISKSH-së për reformën në spitale.
Reforma
Shefi i këtij shërbimi në QSUT shprehet se reforma e re është ideale për spitalet tona dhe duhet të fillojë sa më shpejt, por duke parashtruar disa nga çështjet e mësipërme. Nga ana e saj, ISKSH-ja ka bërë përgatitjet e saj për shtrirjen e reformës, ku do të financojë një paketë shërbimesh për ato spitale me të cilat do të lidhë kontrata. Në një fazë të dytë do të shihet nëse do të ketë zgjerim të kësaj pakete për të gjithë ata që paguajnë sigurime shëndetësore. Pavarësisht tarifave të ndryshme, shërbimet do të jenë të njëjta. Problem ende i pazgjidhur për shtrirjen e skemës së sigurimeve mbeten borxhet e spitaleve të akumuluara në vite. Ndërkohë që vendimi më i fundit i qeverisë, që hapi dritën jeshile për shtrirjen e reformës në spitale, nuk përcaktonte një zgjidhje për borxhet që kanë spitalet. Fondet për shtrirjen e skemës do të shpërndahen nga Ministria e Financave. Në fazën e parë është vendosur nga qeveria një autonomi e kontrolluar e këtyre spitaleve dhe për këtë arsye është përcaktuar thesari si lëvruesi i fondeve në momentin e parë. Përsa u përket të ardhurave dytësore, spitalet do të kenë mundësi të trashëgojnë fondet. Kjo do të thotë se nëse mbeten fonde pa shfrytëzuar gjatë vitit, ato nuk do të kalojnë më në buxhetin e shtetit por do të mund të mbahen dhe të përdoren nga vetë spitali edhe vitin tjetër.
Përfitimet
Pacientët do të kenë mjaft përfitime nga shtrirja e skemës së sigurimeve. Ata do të përfitojnë më shumë barna me kosto të ulët dhe për më tepër nuk do të ketë mungesë të barnave. Të gjitha medikamentet dhe aparaturat do të sigurohen nga spitalet. Tashmë janë 600 mijë persona në të gjithë vendin që janë të siguruar, por kjo shifër konsiderohet ende e ulët për numrin e popullsisë. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratë me çdo spital brenda marsit 2009 dhe brenda së njëjtës periudhë drejtori i spitalit do të lidhë kontrata me të gjithë punonjësit. Kontratat do të bazohen në shërbimet që realisht ofrohen në spitale në momentin e lidhjes së kontratës. Pjesë e kontratës dypalëshe do të përcaktohen: shërbimet e parashikuara për çdo spital; mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit; modalitetet e pagesës së spitalit; metodologjia e llogaritjes së shpenzimeve; treguesit e cilësisë dhe performancës; mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga ana e ISKSH-së; sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruarve; mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Kjo do të sigurojë autonominë e spitaleve në të gjithë vendin.
10 Janar 2009