Majko akuzon diplomacinë shqiptare për votën pro Serbisë në OKB
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka akuzuar diplomacinë shqiptare për votën që i dha kërkesës së Serbisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të shqyrtuar vendimin për pavarësinë e Kosovës nga Gjykata e Hagës. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, Majko e ka cilësuar një ditë të keqe dhe të zezë për Kuvendin e Shqipërisë, por dhe për diplomacinë shqiptare. Sipas tij, është e turpshme që Shqipëria mori vetëm tri vota pro dhe të tjerat i mori Serbia. Kjo sipas deputetit të PS-së, ka treguar se diplomacia shqiptare ka qenë inekzistente. “Sot jemi në një ditë të keqe dhe të zezë për Kuvendin e Shqipërisë dhe për diplomacinë shqiptare. Ku ishte opinioni i Shqipërisë dje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara? Si e mbrojtëm ne dje pavarësinë e Kosovës, ku morëm vetëm tri vota dhe 100 të tjerë votuan për kërkesën e Serbisë?” - është shprehur deputeti socialist Majko. Në replikë ndaj tij ka reaguar zëvendëskryeministri Genc Pollo. Ai u shpreh se pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka shumë vende që janë larg Shqipërisë dhe që kanë problematikën e tyre, ndaj erdhi dhe ky vendim. Pollo gjithashtu bëri thirrje që politika shqiptare t’i referohet dhe qëndrimit zyrtar të lidershipit të Kosovës për këtë vendim të OKB-së. Sipas Pollos, vendimi i Gjykatës së Hagës do të jetë vetëm konsultativ dhe jo përcaktues, pasi pavarësia e Kosovës tashmë është përcaktuar dhe është përfundimtare.
10 Tetor 2008