Bumçi akuzon PS-në për bllokimin e ligjit për spiunët
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, akuzoi gjatë fjalës së mbajtur dje në seancë parlamentare Partinë Socialiste për bllokimin e ligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Bumçi deklaroi se opozitës i mungon vullneti për të bashkëpunuar në miratimin e ligjit “për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”. Ky projektligj ishte parashikuar që të miratohej gjatë seancës së djeshme nga Kuvendi, por fakti se dy partitë e mëdha nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin, projekti është shtyrë. “Shtatëmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit PS-ja nuk ka vullnetin të distancohet nga e kaluara. Në nëntor të vitit 1995 Shqipëria ishte ndër vendet e para komuniste që e kalonte një ligj të tillë. Por, pas ardhjes të së majtës në pushtet në vitin ’97, ligji u degradua, duke u hequr kufizimet për shumicën e punonjësve të ish-Sigurimit të Shtetit, të hetuesve, prokurorëve që kishin dhënë dënime me burg, duke mos pasur asnjë distancim apo reflektim nga e kaluara”, - u shpreh Bumçi.
Ai tha se Partia Socialisteve nuk ka ditur t’i shfrytëzojë shanset që i ka dhënë maxhoranca për t’u distancuar nga e kaluara e saj, që lidhet ngushtë me regjimin komunist në Shqipëri. “Ardhja e PS-së në pushtet në ‘97-n u përdor për të rehabilituar figurat e vjetra, ata që kishin dhënë deri dje dënime me vdekje në emër të diktaturës dhe që sot japin dënime në emër të të drejtave të njeriut. Partia Socialiste e kishte të pamundur shkëputjen nga trashëgimia e partisë më staliniste të kontinentit. Kjo është hera e dytë që PS-së i jepet mundësia të distancohet nga e kaluara e saj, duke e miratuar këtë ligj”,- është shprehur Bumçi.
Adriatik Llalla miratohet nga Kuvendi si inspektor i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive
Deputetët miratuan gjatë seancës së djeshme Adriatik Llallën në postin e inspektorit të Lartë të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive. Llala mori gjatë votimit të fshehtë me elektronikë 91 vota pro. Për këtë post ishte propozuar dhe emri i Bashkim Dedës, i cili doli humbës. Gjatë seancës së djeshme deputetët miratuan projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës për financimin e projektit ‘Rehabilitimi i Spitalit të Shkodrës’ - faza e tretë". Ndërkohë që seanca vendosi të shtyjë diskutimet e projektligjit “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë” si dhe projektligjin për statusin e deputetit. Ky projektligj, i cili parashikon që deputetët që kanë grada apo tituj shkencorë të marrin një shtesë mbi pagën mujore të përcaktuar me vendim qeverie. Por ky projektligj është propozim i një grupi deputetësh dhe duke u bazuar në Kushtetutë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi, bëri thirrje që ky projekt, i cili sjell një kosto në buxhetin e shtetit, duhet të shtyhet derisa të merret një mendim i Këshillit të Ministrave. Gjatë seancës së djeshme deputetët votuan dhe për dekretin e dy kandidaturave për anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës, Engjëll Shkreli dhe Burhan Malevi. Por kandidatura fituese do të shpallet nga sekretari për Procedurat dhe Votimet, që funksionon pranë Byrosë së Kuvendit.
10 Tetor 2008