OBSE-ja shprehet kritike për projektligjin për mediat
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në Vjenë, Miklos Harasti, ka dërguar një letër në adresë të autoriteteve shqiptare ku ka përshëndetur shtyrjen e draftit. Drafti për mediat nuk i përmbush rekomandimet e OSBE-ja dhe nuk zgjidh problemet që ka lënë ende të hapura ligji aktual. Kështu shkruan në një letër drejtuar autoriteteve shqiptare përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në Vjenë, Miklos Harasti. Zyrtari i lartë i OSBE-së bën thirrje për konsultime të gjera rreth këtij projektligji. “Përvoja ndërkombëtare tregon që regjimet e reja për lirinë e medias e përmbushin më mirë qëllimin e tyre, nëse më parë diskutohen dhe, nëse është e mundur, pranohen plotësisht nga të gjithë partnerët politikë relevantë dhe nga shoqëria civile”, - shkruan ai në këtë letër drejtuar autoriteteve vendimmarrëse shqiptare. “Mirëpres faktin që kryetarja e Kuvendit dhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shtynë miratimin e ligjit dhe bënë thirrje për konsultime të mëtejshme”, - shprehet Harasti. Projektligji i ri u hartua nga Komisioni kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në muajin korrik. Ai synon të bashkojë në një, ligjet ekzistuese për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat dhe atë për Transmetimet Numerike. OSBE evidenton se pavarësisht problemeve të ngritura pak më sipër, drafti nuk zgjidh pavarësinë e KKRT-së. Këtij problemi i shtohet edhe fakti tjetër i nënvizuar nga ana e OSBE-së, që drafti nuk zgjidh problemet që ka lënë ende të hapura ligji aktual. “Drafti nuk siguron pavarësinë e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, si dhe të Radio-Televizionit Shqiptar. Gjithashtu, ai nuk zgjidh problemet që ekzistojnë në ligjin aktual, të cilat janë vënë në pah në rekomandimet e mëparshme të Zyrës si dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Këto probleme kanë mbetur të pandryshuara në projektligjin e ri. Si pasojë, ky projektligj nuk përmbush rekomandimet përkatëse të OSBE-së”, - është shprehur Harasti.
10 Tetor 2008