Opozita akuzon qeverinë: “Serbët kanë në dorë ekonominë shqiptare”
Eljona Ballhysa
Deputetët e opozitës kanë hedhur akuza ndaj qeverisë për shitjen e ekonomisë shqiptare te serbët. Seanca e djeshme parlamentare është karakterizuar nga debate të ashpra rreth vizitës së Damir Fazlliçit, i cili, sipas opozitës akuzohet për pastrim parash nëpërmjet aktivitetit të disa kompanive që operojnë në Shqipëri. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar kryeministrin Berisha për shitjen e sektorëve më të rëndësishëm ekonomikë të vendit kompanive serbe. Po kështu, opozitarët e kanë akuzuar kryeministrin Berisha, por dhe ministrin e Jashtëm, Basha, për lidhjet e tyre me Fazlliçin, i cili është cilësuar nga opozitarët shqiptarë si korrieri i ish-kryeministrit famëkeq të Serbisë, Milosheviç. Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend Braçe ka hedhur akuza dhe ndaj institucioneve të pavarura, veçanërisht ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, sipas tij, pengoi urdhër-arrestin ndaj Fazlliçit. Braçe ka sfiduar dhe kreun e shtetit, presidentin Topi, duke i bërë thirrje atij që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe “të dalë nga frika”.
Akuzat
Sipas deputetit të PS-së, Erion Braçe, pesë kompani serbe importojnë në Shqipëri 95% të energjisë elektrike dhe gjatë vitit 2005 deri në 2008-n e kanë rritur çmimin deri në 400%. Kontraktimi i këtyre kompanive, sipas Braçes, është bërë me prokurim të drejtpërdrejtë nga qeveria “Berisha”. Po kështu, Shqipëria importon nga Serbia 60% të drithit, që është malli më i përdorur i konsumit të përditshëm. Veprat më të mëdha publike sipas opozitës po ndërtohen nga kompanitë serbe. Sipas Braçes, serbët po ndërtojnë në Shqipëri akset kryesore, si autostradën Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, unazën e Fierit, rrugën Milot-Rrëshen, pjesë e korridorit Durrës-Kukës, si dhe terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit. Më tej deputeti i PS-së bën të ditur se evazioni më i madh fiskal vjen nga cigaret kontrabandë që futen nga serbët në pikën kufitare të Shkodrës. Braçe gjithashtu akuzoi ministrin Basha dhe kunatin e tij për pastrim parash të bëra nëpërmjet shitjes së një prej kompanive të Fazlliçit. “Njeriu nën akuzë, kunati i pranuar i ministrit të Jashtëm, Erion Isufi pohoi se kompanitë e Fazlliçit nuk kishin pasur aktivitet në 3 vjet! Pra me një kapital 100 mijë lekë, pa asete, pa aktivitet, njëra u shit 1 750 000 euro në Qipro te një serb! Pastrim ekzemplar parash!” - është shprehur deputeti i PS-së. Po kështu Braçe ka bërë publike në Kuvend lidhjet e Fazlliçit me njërin prej ish-kryeministrave më famëkeq serbë, Milosheviçin. Sipas tij, Fazlliç është pjesëtar i klanit më antishqiptar që ekziston në Ballkan, ndaj dhe vizita e tij në Tiranë një ditë më parë është konsideruar nga Braçe si cenim i sigurisë kombëtare. Ai akuzoi dhe strukturat e Policisë, të cilat, sipas tij, vunë në dispozicion të Fazlliçit në Tiranë një komisariat të tërë për të garantuar jetën e tij. Por kjo deklaratë e Braçes, e mbështetur dhe nga deputetë të tjerë të opozitës, si Balla, Xhufi, Çuli, Majko, u kundërshtuan nga përfaqësuesit e maxhorancës. Ministri Nishani bëri të ditur se policia nuk e ka marrë në mbrojtje Fazlliçin, duke e përgënjeshtruar deklaratën e Braçes. Ndërsa zëvendëskryeministri Pollo e ka cilësuar reagimin e ashpër të opozitës një paranojë të radhës.
Kërkesat
Gjatë fjalës së tij, Braçe, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kërkoi që Prokuroria të ndërmarrë procedim penal ndaj personave që penguan arrestimin e Fazlliçit si dhe të nxjerrë urdhër-arresti ndërkombëtar për të. “Njeriu që konsumoi këtë krim dje erdhi, na sfidoi dhe iku! Prokuroria dështoi në mënyrë po ekzemplare duke rrënuar hidhur imazhin e saj. Sot, pasi dje pësoi një vdekje klinike, Prokuroria, jo për hakmarrje, por për të na treguar që ekziston, në respekt të zbatimit të ligjit, duhet të bëjë dy veprime konkrete: procedim penal për të gjithë ata që e penguan dje të zbatonte urdhrin për ndalimin e Fazlliçit; së dyti, urdhër-arresti ndërkombëtar për këtë bandit!” - është shprehur Braçe. Ai gjithashtu kërkoi nga presidenti Topi që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. “Presidenti duhet të dalë nga frika për të kërkuar hesap në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, rikthyer me plot fuqi agjencitë e ligjit kundër kësaj makine të krimit më të zi në Ballkan, që bën biznes e qejf në Shqipëri. Por që ato të kenë besim të nisë me largimin e djalit të bukur të serbëve, ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, pastaj me dhëndrin e tyre, Sali Berisha”, - është shprehur Braçe.
BOX
Projektet serbe në Shqipëri
- Ekzistojnë pesë firma që importojnë 95% të energjisë në Shqipëri dhe nga viti 2005 deri në 2008-n kanë rritur çmimet e shitjes së energjisë deri në 400%. Kontraktimi i tyre është bërë me prokurim të drejtpërdrejtë nga qeveria “Berisha”
- Shqipëria importon 60% të drithit e nga Serbia
- Veprat më të mëdha publike po i ndërtojnë kompani serbe, si:
- Mbikalimin në mes të Tiranës po e ndërton kompania “Alpine” me degën e saj në Serbi
- Autostradën Levan-Vlorë
- Autostradën Levan-Tepelenë
- Unazën e Fierit po e ndërton kompania “SCT” me degën e saj në Serbi
- Rrugën Milot-Rrëshen, pjesë e korridorit Durrës- Kukës, po prapë dega e saj në Serbi
- Terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit
- Rrjeti më i madh i shërbimeve tregtare në Shqipëri është në duart e serbëve, rreth 45% e këtij tregu
- Evazioni më i madh fiskal vjen nga cigaret kontrabandë. Porta nga vjen i gjithë ky evazion fiskal është Shkodra, andej nga hyn ky bosi i mallrave me akcizë të fortë nga Serbia
10 Tetor 2008