Arrestohen 20 policë për korrupsion
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë njoftoi arrestimin e 20 punonjësve të policisë në pikën e kontrollit kufitar Tabanoc.
Pika kufitare lidh Maqedoninë me Serbinë dhe operacioni është koduar “Bumerang”. Të arrestuarit akuzohen për marrje rryshfeti dhe moskryerje të detyrës zyrtare. Agjencia maqedonase e lajmeve Mia bëri të ditur se të arrestuarit dolën dje para Gjykatës Themelore 1 në Shkup. Ministria e Brendshme maqedonase informoi se kishte pasur informacione të mëparshme për korrupsion në radhët e punonjësve të policisë të pikës kufitare “Tabanoc”.
Londër
Braun takohet me kryeministrin izaelit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, u takua dje në Londër me kryeministrin britanik, Gordon Braun, me të cilin diskutoi për përpjekjet për rifillimin e bisedimeve për paqe në Lindjen e Mesme. Netanjahu më pas u takua me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçell, i cili fuqishëm po kërkon, që Izraeli t’i ndalë aktivitetet për ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara, Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor. Më pas ai do të udhëtojë për në Berlin, ku nesër pritet të takohet me kancelaren gjermane, Anxhela Merkel.
Koreja e Jugut
Dështon përpjekja për lëshimin e një rakete
Korea e Jugut ka dështuar në përpjekjen e parë për të lëshuar në orbitë një satelit nga territori i vet. Sateliti u lëshua me sukses dhe fazat ndarëse të raketës ndodhën siç ishin planifikuar, por sateliti nuk arriti të hynte në orbitë. Inxhinierët koreanë dhe ata rusë po përpiqen të gjejnë se ku ka përfunduar. Lëshimi ishte planifikuar që prej dhjetë vjetësh, por nga qeveria e këtij vendi u përshkrua thjesht si operacion komercial dhe jo shumë i rëndësishëm. Ministri i shkencës dhe teknologjisë së vendit e quajti atë, sukses të pjesshëm.
Pakistan
Policia gjen trupat e 22 militantëve
Trupat e pajetë të 22 personave, të dyshuar si militantë janë gjetur ditët e fundit në luginën e Suatit, në Pakistan. Lajmin e bënë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave trupat e gjetur janë masakruar disa javë më parë. Ndërkohë, banorë të zonës kanë akuzuar forcat e sigurisë se kanë tejkaluar kompetencat e tyre në ofensivën kundër talebanëve, duke vrarë disa prej tyre. Nga ana e tyre, policia dhe ushtria i kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se pas masakrës mund të jetë dora e vetë banorëve, të cilët mund të kenë vrarë për hakmarrje.
26 Gusht 2009