E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhet për herë të 4 kablloja në Zvërnec

 

VLORE - Vidhet për herë të katërt kablloja elektrike në zonën e Zvërnecit. Pasi u zëvendësua katër herë, autorët e kanë vjedhur atë çuditërisht në të njëjtin vend. E gjithë zona e plazhit të Zvërnecit dhe Triportit kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërsa qyteti i Vlorës ashtu sikurse edhe në precedentët e mëparshëm, ka mbetur pa sinjal televiziv. Edhe pse policia kishte marrë masa për ruajtjen e linjës elektrike që furnizon me energji zonën e  Zvërnecit, autorët të cilët ende nuk janë identifikuar kanë arritur ta vjedhin sërish. Sipas burimeve pranë OSSH-së, janë rreth 150 metra kabull që janë shkëputur gjatë natës. “Vjedhja e linjës kabllore ka lënë pa energji të gjithë zonën e Zvërnecit, Nartës, një pjesë të zonës së Panajasë, si dhe pa furnizuar me energji elektrike të gjitha antenat televizive kombëtare dhe lokale, duke lënë pa sinjal të gjithë qytetin e Vlorës dhe më tej”, u shprehën burime pranë OSSH. Policia e Vlorës ende nuk ka mundur të identifikojë autorët e vjedhjes së përsëritur. Mësohet se punonjësit e OSSH-së kanë nisur punën për zëvendësimin e pjesës së kabllos që mungon, por zyrtarët e këtij institucioni shprehen të pakënaqur me punën e deritanishme të policisë. Sipas tyre, është hera e katërt që ndodh i njëjti skenar, në të njëjtin vend, ndërsa policia nuk arrin jo vetëm t’i ndalojë, por as t’i identifikojë vjedhësit. Dëmi që po i shkaktohet OSSH-së është mjaft i madh, shprehen drejtuesit e kësaj ndërmarrje. Shumë pushues të zonave që kanë mbetur pa drita kanë nisur që ditën e djeshme të braktisin zonën. Banorët e Zvërnecit, por dhe të Nartës janë shprehur me dyshime se për vjedhjen e linjës për të disatën herë mund të kenë dorë ndoshta edhe punonjës të elektrikut. Ata arrijnë ta shkëpusin kabllon në kohën që është në tension.                     q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›