PYLLI I LICENCAVE DHE... ROJTARI I PYLLIT
Këtë javë u publikua një letër që një kongresmen demokrat amerikan i dërgonte sekretares Kondoleza Rajs ku kërkohej informacion për të vërtetuar rolin e ambasadorit amerikan në Shqipëri në çështjen e trafikut të armëve që ka bërë kompania AEY, e cila ka shkelur ligjet amerikane të cilat ndalojnë përdorimin e fondeve publike për të blerë materiale ushtarake kineze. Kjo histori është natyrshëm e lidhur me shpërthimin fatal të ndodhur në Gërdec. Një pjesë e mediave e përçuan këtë letër si një fakt të kryer të përfshirjes së ambasadorit, ndërkohë që të tjerë thanë se mënyra se si u trajtua kjo letër në media është një përpjekje mafioze për të fshehur të vërtetën në lidhje me atë që ka ndodhur në Gërdec. Në gjykimin tuaj, sa realisht janë të interesuara qarqet mafioze që të fshehin të vërtetën nëpërmjet manipulimit të opinionit publik mbi një përfshirje të ambasadorit në këtë çështje dhe ndërkohë që kjo çështje po hetohet nga Kongresi Amerikan, a duhet të kemi më tepër shpresa se e vërteta mbi shpërthimin në Gërdec do të dalë?
Unë them se ne shqiptarët, në këtë çështje kemi në dorë të bëjmë vetëm një punë me mend. Që punët e Amerikës t’ua lemë amerikanëve. Për më tepër që ne, siç tregon edhe ky rast, nuk u ofrojmë atyre asgjë më shumë sesa ngatërresa shtesë. Ndërsa të gjithë e dimë që ata, si popull, si politikë a si qeveri amerikane, historikisht, por sidomos në këto gati dy dekada, i kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve çdo gjë të mirë që kanë mundur të transferojnë: që nga ndihmat jetike ushqimore në vitet e para të tranzicionit e deri tek asistenca më e përparuar teknike e grantet financiare. Që nga mbështetja për afirmim ndërkombëtar e integrim të Shqipërisë, e deri tek investimi tjetër, ai më i madhi e i pakrahasueshmi me asgjë tjetër, në dy drejtimet më jetike për të ardhmen e një kombi: në forcimin e demokracisë dhe në çështjen e pavarësisë.
Po edhe sikur të linim mënjanë çdo vështrim kontekstual e historik, edhe sikur të qëndronim thjesht në merakun për të zbardhur më mirë aferën e Gërdecit, përsëri nuk kemi pikë arsye ta tretim vështrimin andej, apo t’i hyjmë rizbulimit të Amerikës. Sepse kjo punë, më shumë sesa udhëtimit të Kolombit, i ngjan... vezës së Kolombit. Mendoj se çdo përpjekje e palës sonë, për t’i përzier kartat këtej e andej oqeanit, madje edhe çdo prirje e tillë e organeve tona të hetimit, veçse do ta turbullonte pamjen e përgjegjësive krejt shqiptare, lidhur me lojën që është luajtur në kurriz të viktimave, por edhe të gjithë qytetarëve këtu, të cilëve gjersa të mësonin të vërtetën iu desh të kalonin edhe përmes një prove të llahtarshme: shpërthimit të Gërdecit. Logjika më duket e thjeshtë: A nuk ishim ne të zotërit e “mallit”? Domethënë, fishekët e predhat a nuk ishin tonat? Shitësi Meico a nuk ishte tërësisht yni? Po biznesi i zgjedhur për demontimin a nuk ishte yni? I zgjedhur e çfarë të zgjedhuri. Po standardet mizerabël të “punës” në Gërdec, a nuk ishin krejtësisht “vepra jonë”? Po gjeneralët, komandantët, drejtorët, inspektorët, ministrat, kryeministrat e VKM-ve të gatuara vrullshëm, kryekomandantët, kryeokontrollorët, chief-parlamentarët e ligjit “me procedurë të shpejtuar” etj., të gjitha këto kush na i dha, Amerika? Aspak.
Gjithë lënda që nevojitet për të nxjerrë të vërtetat tona, për njerëzit tanë, gjendet këtej kufirit. E lëmë pra Amerikën të bëjë punën e vet me ligjet e veta.
E treta, gjykoj se as dimensioni ligjor i çështjes nuk na sugjeron që ta hedhim bisedën nga njëra anë tek tjetra. Ne kemi jo vetëm faktorët bazë që prodhuan ngjarjen, jo vetëm shkaktarët tanë të qartë, por edhe ligjet tona kombëtare me të cilat trajtohet çështja. S’ka se si e nuk ka as se përse, të shtrihemi e të gjykojmë mbi punë të tjerëve me ligjet tona shqiptare, ca më pak me mentalitetin tonë e me kodin tonë të sjelljes, ndërkohë që ligjin shqiptar s’po e fusim ende dot në punë as për përgjegjësitë tona puro shqiptare.
Në mesin e javës së kaluar disa anëtarë të LSI-së në Berat kaluan me PS-në. Të nesërmen e ngjarjes një ndër themeluesit e PS-së, Luan Rama, kaloi me LSI-në dhe pak ditë më vonë në Fier 100 anëtarë të PS-së në këtë qytet kaluan me LSI-në. Kjo lloj historie midis PS-së dhe LSI-së ka kohë që përsëritet dhe qartazi është tregues i faktit që të dyja partitë vazhdojnë të jenë ende në përpjekje për të qartësuar kufijtë dhe madhësinë e tyre në tregun politik. A mendoni se këtu nuk bëhet fjalë për një lojë, po për një luftë të vërtetë për të zaptuar sa më shumë pjesë të tregut politik, fakt i cili të çon në përfundimin se e majta tashmë nuk mund të jetë më e bashkuar për zgjedhjet e ardhshme?
Situatë trishtuese – është fjala e parë që më vjen ndërmend. Njëri prej aspekteve që e nxjerr më mirë se çdo gjë tjetër në pah nivelin, - në fakt “niveli” është fjalë shumë e kthjellët, - katandinë, do të shkonte më shumë - e politikës dhe “forcave lëvizëse” të saj sot, në Shqipërinë tonë. Përpara kësaj as nuk vlen fare t’i hyjmë pjesës së fundit të pyetjes suaj, nëse e majta do të jetë e ndarë apo e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme. Sa para bën si do të jetë? Mjafton vetëm ky koment i shtjelluar brenda pyetjes suaj, që çdo person që nuk e njeh këtë vend të marrë një përshtypje të qartë, madje edhe të mjaftueshme mbi atë se ç’bëhet këtu. Dhe se si luan e ç’u punon banorëve të tij, e quajtura “klasë politike” e shekullit XXI. Gjithë kjo vetëkuptohet – le ta bëjmë të qartë qysh në fillim – nuk është një dukuri që lidhet me një apo dy parti të caktuara, por është një praktikë tipike e pluri-partitizmit shqiptar.
Më i pari shqetësim këtu më duket degradimi i raporteve dhe aksionit politik normal të partive në një treg të rëndomtë. Në një pazar më mirë. Në një pazar të shitblerjes së njerëzve me tufa. Dikush mund të hidhet e në ngut e sipër të më thotë se s’është e vërtetë. S’mund të kemi pazar sepse s’kemi vënë çmime. Pra njerëzit lëvizin vetë; duan hidhen andej, duan vijnë këtej. Të gjithë e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Dhe se mbrapa çdo rreshtimi të njerëzve qëndron një lloj “çmimi”, i cili natyrisht nuk vendoset ndër etiketa që varen në xhaketat e “mallit”, as nuk kalkulohet në fatura e në bilance, por gjithsesi ekziston. Si në mendjet e njerëzve që zhvendosen, ashtu edhe në mendjet e liderëve që frymëzojnë apo përshëndesin.
Dhe këtu vjen shqetësimi i dytë mbi këtë gjendje. Dakord që është pazar. Dakord që ekziston edhe “çmimi” si shprehje e interesave. Dhe as kjo s’ka pse të na çudisë shumë, sepse politika dihet që i ngjan një tregu. Por ama ka një dallim të madh lidhur me mallin e tregtuar. ǒfarë tregton normalisht një treg politik? Persona? Burra? Gra? Apo diçka tjetër? Është e qartë se nëse jeta politike ka tipare tregu, ajo kurrsesi nuk ka për objekt “tregtimin” e njerëzve, por të ideve e alternativave politike. Mbas kësaj dhe vetëm mbi bazën e kësaj mund të shpjegohen pastaj edhe krisje, çarje e rrjedhje të njerëzve partiakë. Ndryshe si qenka kështu, ngrihen një mëngjes 100 gra e burra e shkojnë regjistrohen andej. Hajde s’po i pyesim se ç’i shtyu, e se çfarë presin të zgjidhin tani pas zhvendosjes, po të paktën të na thonë vetëm një gjë: Si u bënë fiks 100 a 200 persona menjëherë? Pse u desh që të plotësojnë kështu qindëshet që pastaj të lëvizin? Nuk lejohet më pak?
Pikërisht, degradimi i tregut politik nga treg i ideve në treg të njerëzve, shpjegon edhe atë dukurinë që nënvizoni ju: merakun e subjektit për “size-n” (madhësinë) e partisë. Jemi parti e madhe kaq apo aq dhjetëramijëshe. U zmadhuam sepse sapo na erdhi një grup i ri shtetasish që duan të ndërrojnë teserat. Kjo është një garë e thatë sasiore që s’ka asgjë të përbashkët me atë që pritet prej partive: ofertën e ideve, zgjidhjeve alternative. Mendoj se kjo është reminishencë e një mentaliteti pak të vjetër, kur forcat mateshin me madhësinë e armatave, me numrin e “trupave”. Ndërkohë që “tregu politik” pikërisht këtu dallon nga pazaret e tjera. Nga fakti që vlera, zgjidhja, oferta optimale për publikun, mund të gjendet edhe në një ekip të vogël anëtarësh, madje edhe në një mendje të vetme, e cila pastaj gradualisht shtrihet e pushton mendjet e tjera. Lidershipet e mëdha nuk merren me numërimin e njerëzve por përqendrohen pikërisht në përpunimin e idesë, zgjidhjes, alternativës, në formësimin, skalitjen dhe “marketimin” e saj për publik që pastaj të marrin për pasojë edhe mbështetje maksimale numerike. Por kjo e fundit vjen vetëm si pasojë e përpunimit të idesë.
Meraku për madhësinë numerike duhet të quhej i tejkaluar edhe sikur të shikonim xhanëm vetë zhvillimet në tregun e vërtetë, atë të ekonomisë. Prej dekadash madhësia e ndërmarrjes nuk përbën më një avantazh të vetëkuptueshëm për ndërmarrjen si në kohën e Tejlorit apo të Fordit të parë. Ka kohë që avantazhi është zhvendosur nga madhësia e armatës së punëtorëve. Ka studime të fundit madje që theksojnë prirje të kundërt, bazuar në rolin në rritje që po luan për rezultatet ekonomike të firmës, teknologjia e informacionit dhe komunikimit. Sa më shumë rritet ky rol, thonë ata (bazuar në studime e statistika), aq më e vogël po bëhet “ndërmarrja” si organizëm. Nga ku del se sa më shumë që rritet substanca “soft”, pra e ideve brenda një partie, aq më pak nevojë ka ajo për të shtuar listat me njerëz që u gëzohen teserave të reja deri në zhvendosjen tjetër.
Kryeministri Berisha në mbledhjen e kësaj jave njoftoi se do të shfuqizonte pjesën më të madhe të licencave për biznesin, duke i cilësuar ato si burimi i korrupsionit dhe pengesë për zhvillimin ekonomik. Cili është komenti juaj?
Së pari, për lexuesin e nderuar, që nuk e njeh përmbajtjen e termit “licencë” në këtë kuptim që përdoret këtu, le të themi që është fjala për autorizimet ose më thjesht akoma për lejet që duhet të marrë një firmë e re apo ekzistuese për të nisur e ushtruar një aktivitet sipërmarrës në këtë apo atë sektor. Ky në thelb është një hap normal për marrëdhëniet mes shtetit, publikut dhe sipërmarrjes private dhe shpreh realizimin në praktikë të faktit që shteti si ruajtës i interesave publike, edhe në ekonominë e tregut të lirë, është prezent në zhvillimin e aktivitetit të sipërmarrësve privatë. Sado pra që në teori të gjithë parashtrojnë se në këtë tip ekonomie është thuajse ekskluzivisht biznesi privat, moria e sipërmarrjeve “të lira”, ajo që vë në lëvizje e mban gjallë jetën ekonomike të vendit, përsëri “dora” e shtetit është pashmangësisht prezente. Dhe kjo prezencë, në raport me nismën sipërmarrëse, realizohet kryesisht me anë të këtyre lejeve të cilat i quajtëm “licenca”. A është kjo prezencë në masën e formën e duhur, a duhen më shumë a duhen më pak licenca, më të gjata më të shkurtra, më të thjeshta më të komplikuara, më të liruara a më të shtrënguara, kjo gjithmonë është një temë e hapur mes ekonomistëve e politikanëve, si dhe mes rrymave brenda tyre, sepse në të gjitha rastet argumenti i përdorur është i njëjtë: mbrojtja e interesit publik. Unë, - thotë shtetari - përmes licencës e mbroj më mirë interesin publik, sepse i vë ca kushte sipërmarrjes që vepron në aktivitete që lidhen me shëndetin, sigurinë, pasurinë publike etj. Unë, - thotë biznesi - e realizoj më mirë interesin publik nëse më lejon të filloj menjëherë, sepse punësoj njerëz, dhe u jap rroga, prandaj mos më pengo me licenca. Licencat pra në vetvete nuk mund të jenë medoemos një gjë e mirë, por as medoemos një gjë e keqe. Sikur të kishte kriter absolut kjo punë, nuk ka pse p.sh. që Republika Çeke të mbante shumë më tepër hapa proceduralë në licenca (36) sesa fjala vjen Maqedonia apo Mali i Zi (të dyja me nga 19). Sikur të ishte kaq kollaj kjo punë, askush s’do të mbante asnjë sekondë, asnjë licencë të vetme. Do fshiheshin të gjitha me një dekret dhe biznesmeni që do të ngrinte një punishte ta zëmë për prodhimin e ilaçeve psiko-neurotike apo qoftë edhe për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, ia niste e bitiste vetë atë punë.
Sidoqoftë, në garën midis biznesit që s’do fare licenca dhe qeverive që tentojnë ta rëndojnë “dorën” e tyre në aktivitetin e biznesit, me anë të “pyllit të licencave”, për arsye të përdorimit të pushtetit politik, duket se ndër vite është shteti ai që i ka dhënë vetes të grumbullojë pushtet të tepruar edhe në këtë fushë. Situatë kjo, që me hapjen e ekonomisë dhe zgjimin e forcave pro tregut duket është vënë nën presion dhe prirja është që situata të korrigjohet, pikë së pari nëpërmjet shkurtimit të numrit të licencave dhe sidomos të shkurtimit të numrit të procedurave për licencim.
Ku jemi ne? Raporti i Bankës Botërore “Doing Business in 2008” thotë se Shqipëria ka më shumë hapa proceduralë për licencat sesa çdo vend tjetër i rajonit, përveç Moldavisë. Ndërkohë që kjo punë i ha biznesit më shumë kohë (331 ditë) sesa çdo vend tjetër i rajonit, përveç Bosnje-Hercegovinës. Por për mua shifra më alarmante ishte ajo që dëgjuam nga vetë Kryeministri: Që nëpër këmbët e biznesit shqiptar dhe atij që punon në Shqipëri sot, vërtiten plot ...njëqind e gjashtëdhjetë e ca licenca! Këtë shifër kKeministri sigurisht e solli për tjetër punë: për të treguar se çfarë suksesi do të ishte ai kur nga kjo mori licencash në fund të vitit do të kishte vetëm... 62. Impresionuese apo jo, gjithnjë si një premtim i ardhshëm. E theksoj këtë “premtimin e ardhshëm”, sepse këtu askush nuk raporton se përse nuk e bëri një detyrë që duhet ta kishte mbyllur me kohë. Edhe për licencat raportet ndërkombëtare na e kanë bërë me kohë të ditur gjendjen. Qysh në 2003-shin një raport i FIAS-it (agjenci e Bankës Botërore) e ka dhënë më qartë se kushdo alarmin. Thotë se ne mbajmë kot një shumicë licencash që duhen shkelmuar. Ja ç’thotë më konkretisht pika 177 e atij raporti për “licencat industriale: “Përvoja tregon se në vendet që drejtohen tek ekonomia e tregut, vetë koncepti i licencave industriale është i vjetruar. Hiqet dorë nga licencimi i industrisë në favor të forcimit të zbatimit të ligjeve që mbrojnë interesat publike, p.sh. dhënia e të drejtave që janë monopole publike (p.sh., shfrytëzimin e burimeve të parinovueshme publike, si pyjet ose burimet minerale); në çështje që kanë të bëjnë me besimin publik (bankat); shitja e pronës publike (p.sh., privatizimi); si dhe aktivitete që kërkojnë një ekspertizë të specializuar për të përmbushur detyrimet ndaj mirëqenies publike (p.sh., sektori farmaceutik dhe sektori i ndërtimit). Argumentime politikash që mund të merren parasysh në shqyrtim mund të përfshijnë çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe sovranitetin si p.sh., në industritë që lidhen me mbrojtjen dhe komunikimet në masë”
Madje jo vetëm kaq. Qeveria e mëparshme bëri VKM dhe ngriti grupe pune që në 2005-ën. Po atë vit turi elektoral i mazhorancës së sotme premtonte rregullime të rrufeshme të gjendjes. Për 100 ditë madje. Kush ka nge tani të dëgjojë nga e para të njëjtën histori? Që licencat janë shumë të bezdisura e duhen shkurtuar?
Por nga ana tjetër, shifra e shpallur mbi gjendjen e sotme (njëqind e gjashtëdhjetë e ca licenca) është një katandi e frikshme, përpara të cilës kushdo do të bënte të njëjtën pyetje: Si mund të shpallen në këto kushte llogje të tilla si parulla “Shqipëria – vendi më tërheqës për tërheqjen e investimeve të huaja!”?
***
Për ta mbyllur, edhe diçka shtesë. Mendoj se më tepër sesa numrat e licencave apo hapave për to, ka rëndësi të matet e të trajtohet diçka tjetër, shumë më e rëndësishme e shumë më penguese edhe sesa mijëra licenca. Ky shprehet në dy tregues: së pari, volumi i “bezdisë shtetërore” që përmbajnë licencat dhe së dyti, shkalla e përdorimit subjektiv, voluntarist, autoritarist, të kësaj “bezdie licencore”. Këto nuk janë aspak e njëjta gjë apo jo. Mund të kemi njëqind licenca dhe ju i merrni ato brenda një dite pa luajtur nga vendi (nëse plotësoni kriteret). Mund të keni vetëm një licencë të vetme sa një mal, dhe ju s’e merrni atë sa të jeni gjallë (edhe nëse i plotësoni të gjitha kriteret). Është si puna e pyllit dhe rojtarit të pyllit. Ju mund të keni një pyll të dendur e me një mori drurësh dhe ta kaloni për bukuri e në fresk, nëse rojtari i pyllit rastis një burrë i mirë, që ju tregon shtegun e ju jep fuqi. Por ju mund të keni edhe një pyll të rrjepur para, me vetëm katër pemë e megjithatë s’kaloni dot sikur të plasni. Sepse në hyrje të tij vigjëlon po ai: rojtari i pyllit, i cili nëse s’ka respekt e leverdi prej teje, nëse s’të ka me sy të mirë, ju bëni mirë të ndërroni udhë, sepse rojtarët s’njohin vetëm shtigjet. Zakonisht ata mbajnë edhe qen dhe çifte gjahu.