E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi; Dosja “Kashari”, mungojnë 4 të pandehur, shtyhet seanca e parë

Seanca e parë gjyqësore ndaj 10 të akuzuarve për “abuzime me pronat” është shtyrë për shkak të mungesës se katër prej të pandehurve, të cilët gjykohen në gjendje të lirë. Në Gjykatën e Tiranës startoi dje shqyrtimi gjyqësor i dosjes “Kashari” në ngarkim të 10 të pandehurve, katër prej të cilëve hetohen në gjendje të lirë, ndërsa të tjerët nën masën “arrest në burg”. Të pandehurit e kësaj çështjeje janë Alfred Sulaj, 33 vjeç, ish-kryetar i Komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish-kryetarët e kësaj komune përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç ish-kryeplak i komunës, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës, Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevahir Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar, si dhe Bardhyl Kamberi, Ismail Bakalli dhe Ruhi Valiasi. Të 10 personat akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre” e kryer në bashkëpunim dhe "mashtrim me pasojë të rëndë në bashkëpunim”, si dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”. Sipas akuzës, dyshohet se të gjithë këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, duke pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, të cilët nuk kanë qenë banorë të Komunës Kashar. Një veprim i tillë dyshohet se është kryer kundrejt përfitimeve të paligjshme të të akuzuarve. Madje, sipas hetimeve, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit “Kashari 2”. Sipas burimeve nga gjykata, një pjesë e të pandehurve kanë paraqitur kërkesën për t’u gjykuar me gjykim të shkurtuar, kërkesë që po nuk e parashtruan të gjithë, do ketë një veçim të çështjes për këta të pandehur. Për këta të pandehur, prokurori i çështjes ka dorëzuar në gjykatë 12 fashikuj hetimorë me 6 mijë fleta brenda, me anë të të cilave pretendon të provojë akuzat për gjithsecilin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›