E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli shfuqizon vendimin e pezullimit dhe rikthen në detyrë Ahmetin

Krenar Ahmeti mund të rikthehet sërish në detyrë pas vendimit të djeshëm të togave të zeza në Gjykatën e Apelit. Trupi gjykues, i cili shqyrtoi ankesën e Ahmetit, shfuqizoi dje vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për pezullimin nga detyra të shefit të Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit, Krenar Ahmeti, i cili akuzohet për “kryerje te veprimeve arbitrare”. Përgjatë 45 minutave, togat e zeza shqyrtuan apelimin e vendimit të ish-shefit të Qarkullimit për kryeqytetin Ahmeti, duke shfuqizuar pezullimin nga detyra të këtij shtetasi, vendim i marrë dy javë më parë nga gjyqtarja Majlinda Doga. Tashmë, Krenar Ahmeti do të rikthehet në detyrë, pas largimit të tij deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Apelit. Pasi ka paraqitur të gjitha dëshmitë, avokati u ka kërkuar togave të zeza të Gjykatës së Apelit rrëzimin e vendimit. Por përballë pretendimeve të mbrojtjes, akuza i ka kërkuar gjykatës lënien në fuqi të vendimit. Sipas prokurorit, Ahmeti ka kthyer ligjin, pasi ka shoqëruar padrejtësisht disa qytetarë duke përdorur forcën, si dhe duke i ofenduar. Gjykata, pasi ka dëgjuar të dyja palët ka vendosur të pranojë kërkesën e avokatit, duke liruar Ahmetin nga masa e sigurisë. Sipas vendimit të gjykatës, prokuroria ka të drejta ta hetojë këtë të fundit pa pasur një masë sigurie ndaj tij. Dy javë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi masën e sigurisë “pezullimin nga detyra” kundrejt shefit të Qarkullimit Rrugor deri në përfundim të hetimeve, pas dy kallëzimeve për “veprime arbitrare”, nga prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Ymeri dhe bashkëshorti i saj avokat, Agron Bajri, si dhe një qytetari nga Durrësi. Por ky vendim u apelua nga vetë i akuzuari dhe avokati i tij mbrojtës, të cilët e konsideruan vendimin e Shkallës së Parë si të pabazuar në prova. Aktualisht Krenar Ahmeti është zëvendësuar nga Valmir Nikolla, i cili u komandua nga Ahmet Prençi për ta zëvendësuar përkohësisht. Pezullimi nga detyra i Ahmetit me vendim gjykate, shkaktoi një përplasje institucionale, madje duke detyruar ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, t’i dërgonte një letër me fjalët më të mira për vartësin e tij gjyqtares që caktoi masën. Madje, në letrën e tij, ministri deklaronte se të dëmtuarit kanë qenë punonjësit e policisë.

Dëshmitë

Një numër i madh dëshmish i janë paraqitur dje Gjykatës së Apelit, të cilat kishin në përmbajtje të tyre kallëzimet që vunë nën hetim ish-shefin e Qarkullimit Rrugor. Avokati mbrojtës i ka lexuar gjykatës të gjitha dëshmitë e efektivave të policisë, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë ndalimit e shoqërimit të Prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Ymeri (Bajri) për në polici. “Kemi qenë në patrullim kur kemi marrë një thirrje në radio. Aty kërkohej ndihmë përballë Piramidës, pasi kishte një përballje mes shefit të Policisë Rrugore dhe një qytetari. Jemi nisur me makinë në drejtim të vendit ku po zhvillohej debati mes Krenar Ahmetit dhe një personi. Në makinë ishte dhe një grua, e cila dhe ajo po konfrontohej. Më pas kemi marrë urdhër nga shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore që të bënim shoqërimin e qytetarit në komisariat. Por, gjatë kësaj kohe, edhe gruaja që ndodhej në makinë ka këmbëngulur që të vinte me burrin. Më pas kemi marrë vesh që ajo ishte prokurore e Krimeve të Rënda”, - mësohet të kenë deklaruar efektivat. Nga ana tjetër, në dëshmitë e paraqitura bëhej me dije se Ahmeti ka zbatuar vetëm ligjin dhe personat e shoqëruar kanë thyer rregullat e qarkullimit kur janë shoqëruar. Kështu në disa shoqërime të kryera, sipas dëshmive, sqarohej se personat të cilët kryesisht lëvizin me motor nuk kishin vënë skafandrën, ndërsa ka pasur të tillë edhe që kanë qenë në gjendje të dehur kur janë shoqëruar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›