E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i AEY-s, prokuroria shqiptare merr në pyetje Ylli Pinarin

Menjëherë pas seancës së Komisionit të Kongresit që po zhvillon hetimet mbi firmën amerikane AEY, prokuroria shqiptare ka marrë në pyetje ish-drejtorin e firmës MEICO. Komisioni i Kongresit Amerikan bëri dy ditë më parë publik faktin se Ylli Pinari ishte cilësuar si person i dyshuar në trafikim armësh që në 2005-n nga Departamenti i Shtetit. Lidhur me këtë ai është pyetur nga hetuesit e çështjes së Gërdecit, të cilët gjithashtu hetojnë çështjen e AEY-s dhe dyshimet për trafik armësh. Pinari është pyetur për marrëdhëniet me Diverolin, tani i arrestuar në SHBA dhe presidentin e “Evdin Ltd”, Heinrich Thomet dhe për kontratën me kompaninë AEY. Ndërkohë, nga burime pranë prokurorisë mësojmë se Ylli Pinari është pyetur nëse ka pasur apo jo dijeni që qeveria amerikane e dënonte importimin e armëve kineze, si edhe është pyetur rreth deklaratave që janë bërë kundrejt tij.

Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dhënë detaje rreth deklaratave të bëra nga Pinari për çështjen në fjalë. Por nga burime të kësaj të fundit mësojmë se ai i ka kundërshtuar akuzat që i janë bërë.

Kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar se hetimet mbi AEY-në nga komisioni i ngritur për këtë çështje do të jetë shumë të rëndësishme, për të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjëse dhe zbardhur të vërtetën rreth dyshimeve për trafik armësh apo shkelje të ligjeve në tregtinë e armëve.

Sipas këtij komisioni, Ylli Pinari, ka qenë që prej 2005-s në listën e personave jo të besueshëm të Departamentit të Shtetit, si problematik në tregtimin e armëve. Në të njëjtën listë me Pinarin ka qenë dhe 22-vjeçari Efarim Diveroli, pronar i firmës amerikane AYE, i cili arriti të nënshtronte një kontratë prej 300 milionë dollarësh me qeverinë amerikane. Gjithashtu, sipas zyrtarëve të Pentagonit, Pinari ka qenë në listën e personave që mbaheshin nën vëzhgim për trafik armësh.

Prokuroria

Në luftë kundër narkotikëve, të bashkuar me Evropën

Lufta mbi trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe mundësitë për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi për këtë problem është tema kryesore që zhvillon sot në Durrës nga Grupi Këshillimor i Prokurorëve të Evropës Juglindore (SEEPAG). Takimi do të këtë një hark kohor prej dy ditësh, e do të përpiqet që t’u japë zgjidhje problemeve më të zakonshme që e shoqërojnë organin e akuzës shqiptare. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se “synimi do të jetë që përveç krijimit të një tabloje të qartë të rrjeteve të trafikimit të narkotikëve në rajon, të shihen hapësirat e një bashkëpunimi më të ngushtë në hetimin e tyre nëpërmjet krijimit të grupeve të përbashkëta të hetimit”. Organizatori i këtij takimi në Shqipëri është prokurori i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Arqilea Koçi. Në dy ditët e këtij takimi do të krijohet mundësia për një bashkëpunim më të ngushtë mes përfaqësuesve dhe institucioneve të 12 prokurorive të vendeve të Evropës Juglindore, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. SEEPAG-i përbën një grup prokurorësh të Evropës Juglindore, që ka filluar të funksionojë qysh nga viti 2003. Në këtë rrjet të prokurorëve nga 12 vende të Evropës Juglindore përfshihen Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Turqia. F. Mënalla

Romë

Projekt për mbështetjen e prokurorëve mes tyre dhe shqiptarët

Shqipëria është bërë pjesë e PROSECO-s, organizata që do të merret me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim favorizimin dhe stabilitetin demokratik në shtetet evropiane të zonës juglindore. Projekti në fjalë e zhvillon sot takimin e tij në Romë, Itali. Ky projekt rajonal ka si qëllim themelor mbështetjen e prokurorëve të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Malit të zi, Serbisë dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Kosova. Sipas burimeve të kësaj organizate, thuhet se “ne synojmë që të forcojë ligjin dhe rolin e zyrave të prokurorive kryesore të Evropës Juglindore, me qëllim luftën ndaj formave të rënda të kriminalitetit”. Kështu, për të përfunduar të gjitha këto, ditën e sotme do të ketë një konferencë në Romë, ku do të punohet gjatë dy ditëve me ekspertë ndërkombëtarë, të Këshillit Superior të Magjistraturës, të Drejtorisë Kombëtare të Antimafies, nën organizimin e Departamentit për Çështjet e Drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›