Dëshmitë e dy anglezeve fundosin David Braun
Seancë pas seance, britanikut Xhon David Braun duket se po i tunden themelet nën këmbë. Fillimisht me dëshmitë e disa të miturve dhe më pas ato të dy ish-punonjëseve të qendrës së tij, të cilat akuzojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të pandehurin Braun dhe dy të pandehurit e tjerë që po gjykohen nga një tjetër trup gjykues, Dino Kristodulu e Robin Arnolds. Dëshmi tronditëse mund të konsiderohen ato të lexuara dje nga prokurori i çështjes, të cilat jo vetëm kanë hedhur sërish hije dyshimi, por mund të thuhet se e kanë fundosur pozicionin e të pandehurit Xhon David Braun, i akuzuar për “marrëdhënie seksuale me të mitur”, me më shumë se një person. Rreth 400 fletë dëshmi, të dërguara me letër-porosi nga Anglia dhe të marra për llogari të prokurorisë shqiptare, sipas Kodit të Procedurës Penale angleze, shpjegojnë skandalin seksual që fshihej pas petkut të qendrës bamirëse, ku mbaheshin 33 të mitur, kryesisht pa familje. Prokurori i çështjes lexoi pjesë nga dëshmia e Nataniel Luis David, ish-punonjëse vullnetare në qendër, e cila pohonte se Xhon David Braun flinte në dhomë me dy të mitur, njërin prej të cilëve e mbante në krevat dopio. Ndonëse i pandehuri është munduar t’i mohojë këto akuza, duke deklaruar madje se është impotent, dëshmitë e të miturve, dëshmitë e dy ish-punonjëseve, si dhe ekspertizat mjeko-ligjore të bëra pas arrestimit ë Braun, tregojnë të kundërtën, se është abuzuar me fëmijët. Ajo përshkruan gjithashtu emrat dhe sjelljet e të akuzuarave në marrëdhënien me fëmijët. Në kohën që prokurori lexoi dëshminë e Suzan Pikap, avokatja mbrojtëse e të pandehurit shkëmbeu replika me gjyqtarin Gerdi Hoxha. Kjo e fundit u paralajmërua nga togat e zeza për një sërë shkeljesh që cenojnë jetën e fëmijëve të abuzuar, pas publikimit në shtyp të djemve minorenë, për të cilët Xhon David Braun është nën akuzë. Gjyqtari Gerd Hoxha tha se do t’i kërkojë ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë të marrë masa për këtë fakt. Seanca për David Braun zgjati për disa orë në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që për dy të pandehurit e tjerë ende nuk ka filluar përballja me dëshmitë apo provat që disponon akuza. Fëmijët me të cilët është abuzuar nga të pandehurit janë pyetur me video-konferencë, për të shmangur në këtë mënyrë ndikimin e të pandehurit Braun mbi ta.