E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen 4 sekserë të Juridikut



Etleva Delia

Tre tregtarë dhe një përkthyes i disa gjuhëve të huaja u arrestuan dje në Tiranë me akuzën se falsifikonin diploma të Fakultetit Juridik, të cilat i shisnin për 7 mijë euro tek personat e interesuar. Personat që kërkonin një diplomë të Fakultetit Juridik në Universitetin e Tiranës, paguanin 7 mijë euro, pa qenë e nevojshme të kalonin qoftë edhe një orë leksioni apo seminari në auditorët e fakultetit shtetëror. Të arrestuarit merrnin shumën e kërkuar nga njëri prej sekserëve dhe dy muaj pas pagesës, prodhonin një diplomë, e cila sipas verifikimeve në regjistra figuron e vlefshme, pavarësisht se “studentët”, nuk ishin të regjistruar tek Juridiku. Policia e kryeqytetit njoftoi dje se seksioni i Antikorrupsionit dhe Task Forcë, gjatë operacionit të koduar “Juristi”, prangosën, tregtarët Medat Kasa, 54 vjeç, Anai Muça, 46 vjeç dhe Fadil Gurri, 43 vjeç. Në pranga ra edhe Adriatik Koçi, 45 vjeç, me profesion përkthyes i gjuhëve të huaja, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Grupi hetimor ka dokumentuar një rast me diplomë të falsifikuar, si dhe një rast flagrant teksa një person i interesuar për të pasur titullin jurist, po u jepte paratë 4 të arrestuarve, si dhe listën me nota të shkollës së mesme.
HETIMI i Skandalit
Policia ka kryer verifikimet e diplomës së sekuestruar e cila dyshohet të jetë e falsifikuar duke i bërë një krahasim me diplomat e lëshuara nga Fakulteti Juridik. Nga krahasimi, sipas policisë, ka rezultuar se diploma e paligjshme, kishte të njëjtin format me diplomat e dhëna nga Fakulteti i Drejtësisë. Burimet sqaruan se të arrestuarit nuk kanë “prodhuar” vetë, nëpërmjet falsifikimit, diplomën, e cila ishte e rregullt në material, por false në përmbajtje. Personave që dyshohet se janë pajisur me diplomën false, u gjendet emri në regjistrat e shkollës, por disa të dhëna nuk përshtaten me studentët e rregullt të këtij fakulteti. Policia ka verifikuar se këta persona nuk janë të regjistruar në fakultet, por emri i tyre është shënuar në mënyrë fiktive në regjistra. Grupi hetimor po heton lidhjet e mundshme të katër personave të arrestuar, me ndonjë prej punonjësve të administratës, që mund të ketë marrë ndonjë ryshfet, në mënyrë që të shënojë emrat në regjistër dhe t’u sigurojë kartonin e diplomës personave që paguanin 7 mijë euro. Të interesuarit për të marrë diplomën, duhet të derdhin në një numër llogarie të hapur në filiale të ndryshme bankash, shumën prej 7 mijë eurosh. I interesuari duhej t’i dorëzonte në dorë, një listë notash të shkollës së mesme, certifikatë personale dhe fotografi. Diploma sigurohej pas 2 muajsh nga momenti i pagesës në bankë dhe vulosej nga të arrestuarit, të cilët kishin falsifikuar vulën e Fakultetit të Drejtësisë së Tiranës.

Aksioni “Juristi”

TE ARRESTUAR

1. Medat Kasa, 54 vjeç, tregtar
2. Anai Muça, 46 vjeç, tregtar
3. Fadil Gurri, 43 vjeç, tregtar
4. Adriatik Koçi, 45 vjeç,përkthyes i disa gjuhëve të huaja

SEKUESTRUAR

- Diplomë e Fakultetit të Drejtësisëe plotësuar
- Listë notash e plotësuar
- Shuma prej 7 mijë eurosh
- Certifikata, fotografi, dokumentacion pronash, vula, etj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›