E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja merr leksion futbolli nga Zvicra



Leonard Karaj

Spanja shokon Botërorin. Atëherë kur mendohej se skuadra e Vicente del Boskes do të konfirmohej si pretendete për trofeun e këtij kampionati, vjen humbja surprizë nga Zvicra.
Askush nga analistët nuk kishte parashikuar një rezultat të tillë aq sa fitorja e spanjollëve deri pesë minuta para fillimit të ndeshjes kuotohej me vetëm 1.25, pra thënë ndryshe një fitore gati e sigurt, pa zbritur fare në fushë. Por ja që gjërat rrodhën ndryshe. Kampionët e Evropës, ndoshta të galvanizuar edhe nga modestia e kundërshtarit nuk e morën edhe aq seriozisht ndeshjen, aq sa në pjesën e parë humbën si pa të keq një seri rastesh para portës së Benalios. Dhe kur nuk shënon, pëson. Afrikani (Kepi i Gjelbër) i natyralizuar si zviceran, Gelson Fernandes, arrin të realizojë golin e vetëm të ndeshjes në të parin aksion të skuadrës së tij në drejtim të portës së mbrojtur nga Kasijas. Në fakt kishte një pritshmëri të madhe për të parë ekipin e Del Boskes, pa më të voglin dyshim më i kompletuari i këtij turneu. Por helvetët treguan se futbolli nuk luhet më me emra. Humbja e djeshme është një gabim i rëndë për spanjollët, të cilët tashmë rrezikojnë të përplasen me Brazilin që në 1/8 e finales. Askush nuk e mendonte një triumf të Zvicrës, por trajneri Otmar Hitcfeld e kishte paralajmëruar përpara fillimit të takimit se ekipi i tij do të tentonte surprizën. Në pjesën e parë, në fushë ka qenë vetëm Spanja, e cila rastin më të mirë e pati me mbrojtësin Zherard Pike. Por, pasi iu shmang mbrojtjes, ai gaboi përballë portierit Benalio. David Vila tentoi me një aksion personal, por parabola e tij ishte e pasaktë. Po ashtu, një tjetër gjuajtje erdhi nga David Silva, por pa rrezikuar portierin helvetik. Në pjesën e dytë Kampionët e Europës nisën të ushtronin presion në portën e Zvicrës, por pa qenë shumë konkretë. Një moment i dyshimtë, për shkak se Pike mori një goditje me shkelm në kokë, megjithatë gjyqtari anglez Ueb lejoi avantazhin. Por në minutën e 52-të ndryshon gjithçka, pasi Zvicra shënon dhe trajneri i Spanjës de Boske kupton se mund edhe ta humbasë këtë takim ndaj edhe hedh në fushë me radhë Torres, Navas dhe Pedro Rodrigez. Gjithsesi nuk ndryshon asgjë. Hiq dy shtylla, nga një për skuadër, Ksabi Alonso për Spanjën dhe Barneta për Zvicrën, nuk ka asgjë për të shënuar. Iberikët dalin kokulur, në pritje tashmë të një hapi fals të skuadrës së Hitcfeld në dy ndeshjet e radhës.

Spanjë-Zvicër 0-1

Shënues: Gelson Fernandes 52’
Kartonë të verdhë: Grihting, Ziegler, Benalio, Jakin
Gjyqtarë: Houard Ueb (ANG)
Stadiumi: “Durban stadium”
Spektatorë: 62453
Spanja: Kasijas, Pike, Pujol, Iniesta (Pedro Rodriguez 77’), D.Vila, Ksavi, Kapdevila, Ksabi Alonso, Ramos, Buskets (F.Torres 61’), D.Silva (J.navas 62’). Trajner: Vicente del Boske
Zvicra: Benalio, Lihtshtajner, Senderos (Von Bergen 35’), Hugel, Barneta (Egiman 90’), Inler, N’Kufo, Grihting, Gelson Fernandes, Ziegler, Derdijok (Hakan Jakin 79’). Trajner: Otmar Hitcfeld

Spanja Statistika Zvicra
24 Gjuajtje 8
8 Gjuajtje në portë 3
8 Faulle të shkaktuar 21
19 Faulle të pësuar 8
12 Goditje këndi 3
12 Goditje dënimi 3
1 Jashtëloje 2
42 Kohë fiktive/lojë 25
63% Mbajtje e topit (%) 37%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›